Shqipëria

Bastet sportive mund të kthehen, por ‘terreni’ nuk është gati


Lamtumirës së 2018-ës si duket po i vjen fundi…

31 dhjetori i atij viti ishte dita e fundit e punës për bastet si edhe lojërave të fatit.

Mirëpo, 31 gushti i 2022 e gjeti këtë aktivitet në “dialog”.

Por, kësaj here vetëm online, sipas vetë deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Rikthimi i këtij diskutimi ka sjellë debat mes atyre që janë pro dhe kundër vendimit.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit, Henri Telharaj, në një prononcim për Albanian Post theksoi se diskutimi për rikthimin e basteve sportive online, kishte nevojë të madhe të mbështetej mbi një shtyllë kryesore, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale.

“Kjo për arsyen se problemet e ardhura nga varësia e lojërave të fatit konsiderohen si problem i shëndetit publik”.

Sipas tij, lojërat e Fatit sjellin pasoja të dhimbshme për individët me varësi dhe familjarët e tyre, dhe ky grupim/komunitet ka nevojë për mbështetje.

“Mbështetje e cila përkthehet në mbrojtjen reale nëpërmjet ndihmës konkrete ndaj individëve me varësi dhe familjarëve të tyre, krijimit të fushatave të ndërgjegjësimit, por edhe fushatave të parandalimit për të rinjtë dhe fëmijët”.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit, Henri Telharaj

Ndërsa për psikologen, Lenida Halilaj, mund të ketë një zhvendosje në qasjen ndaj argëtimit, pasi për një pjesë të popullsisë (sidomos djemtë dhe burrat), lojërat e fatit janë pjesë e stilit të jetesës dhe ndikojnë edhe në krijimin e mini-komuniteteve, ashtu si çdo aktivitet tjetër.

“Mund të rritet tendenca për të qëndruar me orë të tëra para një televizori ose kompjuteri në pritje të rezultateve të dëshiruara, gjë që nuk është pozitive në aspektin fizik, shkëputje nga realiteti i jashtëm, rritje të dopaminës (nurotransmetues që çlirohet gjatë aktiviteteve me intensitet të lartë emocional) që shërben si përforcues i sjelljes, duke rritur gjasat që lojërat e fatit të bëhen pjesë e përditshmërisë së individit”.

Gjithashtu në aspektin psiko-emocional, sipas saj mund të ketë shtim agresiviteti, mungesë kontrolli të emocioneve dhe mungesë përqendrimi.

Lenida Halilaj, Psikologe

Telharaj bën me dije se pas mbylljes së basteve ilegaliteti fitoi shumë terren aq sa në “evidencat e organizatës sonë jo vetëm që nuk u minimizuar, por mori përmasa të tjera”.

“Në qoftë se është ose jo zgjidhja e duhur këtë do e shohim me kohën sesa do të mundësohet eficenca e menaxhimit dhe kontrollimit të kësaj industrie delikate. Kumari dhe bastet kanë ekzistuar gjithë kohën e kanë shoqëruar njerëzimin që në hapat e para, ndaj fokusi duhet të drejtohet rreth mbrojtjes së individëve që këtë lojë e kanalizojnë në varësi, pra rreth mbështetjes së grupeve vulnerabël”.

Presidenti i Komiteti Olimpik Shqiptar, tha në diskutim me kryeministrin Rama se hapja e basteve do të sillte të ardhura për sportin.

Për Telharaj, hapja e basteve sportive mund të japë financa për sportin, por njëkohësisht do të krijojë probleme të tjera në shoqëri.

Përballja e sportdashësve me reklama të industrisë së basteve, rritje të numrit të individëve me probleme varësie janë vetëm dy nga problemet, sipas drejtuesit.

“Paralelisht me financimin mund të krijojë dëme në shoqëri të cilat mund të jenë të parikuperueshme qoftë edhe për të rinjtë. Ndaj Sporti duhet të zhvillohet paralelisht edhe me mbrojtjen ndaj kësaj varësie për të arritur qëllimin për krijimin e një shoqërie më të përgjegjshme dhe të shëndetshme”.

Për sa u përket vendeve të rajonit, bastet në Maqedoninë e Veriut konsiderohen liberale, ashtu si edhe kumari. Kumari dhe bastet online janë të lejuara me ligj.

Nga viti 2019, lojërat e fatit dhe bastet sportive në Kosovë janë të ndaluara me ligj. Vendimi ekstrem pasoi një ngjarje që shkaktoi ankth të madh, ku dy persona humbën jetën në një kazino si pasojë e një konflikti. Kjo, si dhe arsye të tjera politike, bënë që Qeveria e Kosovës të votojë unanimisht për ndalimin e lojërave të fatit në vend.

Bastet online kanë fituar popullaritet që nga lulëzimi i internetit në shekullin e 21-të.

Në shumë vende, praktika ka marrë një kthesë të paligjshme për shkak të popullaritetit të saj të madh dhe mungesës së rregulloreve në fuqi.

Kumari online është një zonë gri për shumë vende pasi është e vështirë të operosh dhe të mbash gjurmët e transaksioneve të tilla monetare në rast se bëhen transaksione me jashtë.

Kështu, bëhet shumë e rëndësishme për të kuptuar dhe përcaktuar një model të legalizuar për të njëjtën gjë.

Në Kanada, nuk është e qartë, sipas legjislacionit, rregullimi i lojërave të fatit në internet, por nuk është i paligjshëm siç parashikohet nga ligji i tij.

Gjithashtu, nuk ka një mekanizëm të duhur për të rregulluar të njëjtën gjë.

Në SHBA, disa shtete kanë legalizuar lojërat e fatit në internet, por disa shtete ende po mendojnë për vështirësitë me të cilat mund të përballet ekonomia në situata të tilla.

Vende si Britania e Madhe, Japonia, Spanja, Franca, Australia, Kina dhe Tajlanda kanë ligje që parashikojnë lojërat e fatit në internet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore