Shqipëria

“Bastardë”, Spaho përjashtohet nga seanca për fjalorin


Kuvendi ka përjashtuar nga seanca plenare e 9 qershorit deputetin demokrat, Edmond Spaho.

Kjo, pas fjalorit fyes ndaj kolegëve socialistë, të cilët i quajti “bastardë”.

“Sekretariati për Vendimet dhe Etikën, mori në shqyrtim çështjen në lidhje me gjuhën fyese të përdorur nga deputeti Edmond Spaho. Sekretariati vendosi përjashtimin nga seanca plenare për një ditë të deputetit Edmond Spaho, pra nga seanca e sotme”, theksoi drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj.

Parlamenti vendosi gjithashtu edhe heqjen e pagës të 9 qershorit në dëm të deputetit demokrat.

“Kjo masë shoqërohet me sanksion të ndalimit të pagës për një ditë punë. Deputeti duhet të largohet nga salla e seancës. Në rast refuzimi, afati i masës së përjashtimit nga seanca plenare dhe ndalesa financiare do të dyfishohen”, shtoi Felaj.

Kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, kërkoi fillimisht përjashtimin e Spahos nga seanca.

Në të kundërt, deputeti duhet të kërkonte falje për fjalorin e përdorur.

“Këto marrin vesh vetëm me këtë gjuhë. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë”, deklaroi Spaho nga ulësja e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore