Përballje

Bashkimi shënon fitore të thellë ndaj Dritës


Klubi i Bashkimit ka mposhtur me rezultat 105:54 RC Cola Dritën, në ndeshjen e xhiros së shtatë në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Vendasit nga Prizreni dominuan lojën që nga fillimi, me çerekun e parë që përfundoi me rezultat 22:10 në favor të vendasve, derisa shifrat në semafor pas pjesës së parë ishin 52:28.

Çereku i tretë ishte disi më i baraspeshuar i cili përfundoi me rezultat 21:20, por në të katërtin ishte një diferencë e madhe, ku përfundoi 32:6 në favor të Bashkimit, me shifrat përfundimtare 105:54.

Më të dalluarit te skuadra prizrenase ishin Andi Shehu me 22 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë, 2 kërcime dhe 5 asistime.

Ndërsa te skuadra gjilanase, Bardh Jakupi shënoi 14 pikë dhe Isiah Johnson shtoi 13 pikë tjera.

Për Bashkimin, kjo është fitorja e katërt këtë edicion që e ngrit në kuotën e 11 pikëve.

Ndërkohë, Drita mbetet e fundit në tabelë, me shtatë pikë të mbledhura prej shtatë humbjeve, e cila është skuadra e vetme në këtë edicion që nuk ka arritur ende asnjë fitore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore