Shqipëria

Bashkimi “nuk bëhet” – Kurti kërkon ndryshim edhe në Shqipëri


Vetëm dy ditë në Shqipëri dhe kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në epiqendër të diskutimeve politike e mediatike të shqiptarëve.

Nëse ka një fjali të vetme që do të përmblidhte 48 orët e fundit të Kurtit në Lezhë e Tiranë, ajo do të ishte: “Kushtetuta e Kosovës paraqet pengesë për bashkim kombëtar, por ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë”.

Tre, janë kandidatët për deputet që Vetvendosje prezantoi për zgjedhjet e 25 prillit. Tre, janë dhe politikanët shqiptarë që Kurti takoi më 3 mars, në vizitën e tij jozyrtare në Tiranë, por si zyrtar i ardhshëm i Kosovës.

Për çështje zgjedhjeje, ose detyrimi për shkak të pamundësisë për të prezantuar 140 kandidatë, tre aktivistët e Vetëvendosje do të garojnë si të pavarur.

Iliaz Shehu, do të jetë përfaqësuesi i LVV-së në Lezhë. Boiken Abazi, përfaqësues për kryeqytetin. Më 4 mars ndërkohë, prezantohet zyrtarisht në Gjirokastër edhe Kreshnik Merxhani si kandidat.

Nga pamundësia e bashkimit tek pajtimi për bashkëpunim

Ndërkohë që më 2 marsin e 577 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, Kurti e quante kushtetutshmërish të pamundur bashkimin me Shqipërinë, më 3 mars, ai viziton tre figura të larta politike shqiptare.

Këto takime, pas një thirrjeje të zëshme: “Ndryshimet në Kosovë janë bërë. Radha, tashmë, i takon Shqipërisë”.

Ndryshime, që Kurti nuk mohon se mund të vijnë edhe nga Vetëvendosje si forcë politike shqiptare. “Në Shqipëri, janë rritur mbështetësit tanë dhe jam i bindur se kjo do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme”, nënvizoi ai për mediat.

E, për sa i përket takimeve…

Kryeministri Edi Rama, ishte i pari në listën e vizitave. Një takim me dyer të mbyllura është zhvilluar pas mesdite midis dy politikanëve. Asnjë detaj nuk është bërë me dije.

Kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, ka qenë gjithashtu në agjendën jozyrtare të Kurtit. Asnjë fjalë e vetme nuk ka dalë as nga ky takim.

Midis tyre, ka pasur një ndalesë të shkurtër tek Preseidenti i Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit, ka publikuar vetë fotografi dhe përmbajtje nga takimi.

“Ndamë shumë ide të vyera për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”. Këtë do të shkruante Meta në Facebook.

Nga Kurti vetë, sërish nuk ka asnjë fjalë të çastit mbi asnjë nga takimet. Shumëçka mund të jetë diskutuar, por thuajse asgjë nuk dihet mbi këtë çështje.

E vetmja – nëse mund të quhet e tillë – është që bashkimi “dështoi”, por Albini u puq edhe me Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore