Shqipëria

“Bashkimi i statuteve të PD-së”, Apeli shtyn seancën më 17 janar


Gjykata e Apelit ka shtyrë sërish vendimin për bashkimin e dy statuteve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Seanca është shtyrë në datën 17 janar në orën 09:00.

Gjykata e Apelit mori këtë vendim pasi grupi i Alibeajt kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja.

Trupa gjykuese do të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga PD-ja që pretendon se çështja po paragjykohet.

Sipas tyre, Kacerja kërkoi një seancë më parë që të rregullonte prokurën e përgaqësimit sipas statutit.

Trupi gjykues që shqyrton çështjen përbëhet nga gjyqtarët: Irida Kacerja (relatore), Genti Shala dhe Emona Muçi.

Kujtojmë se në qershor, Gjykata e Apelit të Tiranës ndryshoi relatorin për çështjen e Partisë Demokratike (PD), lidhur me regjistrimin në gjykatë të statutit të korrikut 2021.

Më 17 maj, Apeli caktoi gjyqtare Elona Toro, gjyqtar Genti Shala dhe gjyqtare Edlira Petri për të shqyrtuar kërkesën e Ivi Kasos, që Enkelejd Alibeaj të mos bëhet palë në PD.

Ndërtimi i situatës

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, e ka konsideruar nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se, ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale, Gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një palë që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike”, tha Kaso.

Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.

Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore