Sport

Bashkimi fiton vendin e tretë në ‘Final 4’ të Ligës Unike


Bashkimi ka mundur Flamurtarin e Vlorës me rezultat 73:70 (12:16, 26:13, 21:15, 14:26), në ndeshjen për vendin e tretë në Ligën Unike në konkurrencën e femrave.

Çereku i parë ishte shumë i baraspeshuar, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, pa arritur shkëputjen e madhe, ndërsa kjo pjesë përfundoi 12:16. Por, në periudhën e dytë, skuadra e Bashkimit ishte më e mira, dhe ngritën epërsinë, ku më e larta ishte 12 pikë, 38:26, kurse pjesa e parë përfundoi me shifrat 38:29.

Prizrenaset vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke ngritur edhe më shumë epërsinë, ku shkoi deri në 15 pikë dy herë, 52:37 dhe 59:44.

Megjithatë, dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë interesante dhe dramatike. Skuadra vlonjate nuk dorëzohet dhe afron rezultatin në 71:70, 28 sekonda para fundit, por Bashkimi triumfoi me shifrat 73:70.

Medaljet e argjendta i ndan Anëtarja e Bordit Drejtues të Ligës Unike, Elvira Dushku dhe Kryetarja e KBF Prishtinës, Vlora Braha, ndërsa çmimin e ‘Fair Play’-t për klubin e Flamurtarit e ndau Blerim Vuniqi, anëtar i Bordit Drejtues të Ligës Unike.

Nga ora 19:00 zhvillohet finalja e madhe mes Penzës dhe Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore