Rajoni

BE: Migrantët në Bosnjë dhe Hercegovine pa shërbimet bazike


Bashkimi Evropian (BE) në një deklaratë , ditën e hënë më  21 dhjetor, ka folur për gjendjen e migrantëve, të cilët ndodhen në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas BE-së atyre u kanoset rreziku të mbeten pa ndihmë  në nevojat elementare siç janë: strehimi, uji dhe ngrohja.

Tre anëtarë të Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johansson dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, kanë bërë  një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës kërkojnë nga autoritetet që të lënë  mënjanë  ndasitë politike dhe të mundësojnë zgjidhjen e këtij problemi.

 

“Situata e migrantëve në Bosnje e Hercegovinë është alarmuese. Me mbylljen e pritur të objektit në Lipa dhe pa dhënien e ndonjë alternative nga autoritetet, mbi 3 mijë e 300 refugjatë dhe migrantë do të përballen me një situatë, gjatë së cilës nuk do të kenë strehim elementar dhe shërbime. Objekti ishte organizuar si një masë e përkohshme për tu përballur me situatën e COVID-19 gjatë verës”, deklaruan zyrtarët e lartë të BE-së.

Ata kanë kërkuar nga autoritetet që të rihapet qendra në vendin Bira dhe objekti Cijuge në afërsi të qytetit të Tuzllës.

“Autoritetet përkatëse duhet të bashkëpunojnë dhe të veprojnë me ndjenjën e lartë të urgjencës në mënyrë që të adresohen nevojat e të gjithë refugjatëve dhe migrantëve pa strehë dhe të shpëtohen jetët e njerëzve. Interesat e popullatës lokale po ashtu duhet të merren parasysh dhe ne do të punojmë me autoritetet përkatëse në këtë drejtim”, thuhet në këtë deklaratë.

Bosnja dhe Hercegovina është bërë një vend nga i cili migrantët tentojnë të hyjnë në territorin e BE-së, duke kaluar ilegalisht kufirin me Kroacinë.

Në deklaratën e zyrtarëve të Bashkimit Evropian thuhet se “Bashkimi Evropian do të  vazhdojë  të ndihmojë  Bosnje dhe Hercegovinën në këtë drejtim dhe për këtë qëllim tashmë ka ndarë edhe mjetet shtesë financiare”. /AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore