Lajme

Bashkimi Evropian, sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut


Këshilli i Bashkimit Evropian, organi ndërqeveritar i BE-së, ka prezantuar sot (22 mars) sanksionet e vendosura ndaj 11 individëve dhe katër entiteteve.

Këto masa ndëshkuese u janë vendosur subjekteve, të cilat janë të lidhura me shkelje serioze ndaj të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Ato janë pjesë e paketës së Regjimit të Sanksioneve Botërore ndaj të Drejtave të Njeriut, ku gjendet dhe lista e publikuar në fillim të muajit e katër personave nga Rusia.

Sipas publikimit në faqen zyrtare të Këshillit, masat tregojnë vendosmërinë e BE-së, për të mbrojtur të drejtat e njeriut kudo në botë, si dhe për të ndërmarrë veprime konkrete kundër shkelësve.

Mes vendeve, të cilat vuajnë sanksionet e reja nga BE-ja, bie në sy Kina. Kjo e fundit rikthehet në listën e sanksioneve të Unionit, për herë të parë pas tri dekadave. Sanksionet ndaj Kinës vijnë si rezultat i pretendimeve për burgosje masive arbitrare, të përqendruara kryesisht në komunitetin mysliman të Uyghur-ëve në rajonin Xinjiang.

Lista e vendeve vijon me Korenë e Veriut, e konsideruar përgjegjëse për ndrydhjen e të drejtave; Libinë për ekzekutimet pa gjyqe dhe zhdukjet masive; tortura dhe shtypje ndaj personave LGBTI dhe kundërshtarëve politikë në Çeçeni të Rusisë; dhe në Sudanin e Jugut dhe Eritre për torturën, ekzekutimet dhe vrasjet e kryera pa gjyq.

Sipas paketës së Regjimit të Sanksioneve Botërore ndaj të Drejtave të Njeriut, të nisur në dhjetor të vitit 2020, individëve dhe entiteteve që janë pjesë e listës u bllokohen asetet në BE. Gjithashtu, atyre u ndalohet hyrja në BE, si dhe nuk u lejohet personave të tretë të hyjnë në transaksione financiare direkte apo indirekte me to.

Paralelisht me sanksionet për shkeljen e të drejtave të njeriut, Këshilli njofton se ka vendosur sanksione edhe ndaj funksionarëve të lartë të ushtrisë në Myanmar për grushtin e shtetit dhe për dhunën policore të shkaktuar më pas.

Bëhet me dije se dhjetë prej tyre vijnë nga radhët drejtuese të ushtrisë, duke përfshirë Komandantin e Ushtrisë dhe Zëvendëskomandantin.

Bashkimi Evropian e konsideron të paligjshëm grushtin e shtetit në Myanmar dhe ka vendosur sanksione ndaj juntës ushtarake. Të gjitha ndihmat ekonomike ndaj qeverisë ushtarake, apo llojet e tjera të ndihmave, janë pezulluar.

Masat e reja janë në vazhdën e embargos së armëve dhe pajisjeve ushtarake të vendosura më herët.

Njoftimi risjell në vëmendje se së bashku me 14 personat e vendosur në listën e sanksioneve, numri total i tyre në Myanmar ka arritur në 25 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore