Lajme

Bashkëshortja e Zelenskyt i kërkon armë Kongresit amerikan


Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, i ka kërkuar Kongresit amerikan ndihmë për të luftuar kundër Rusisë dhe në këtë ndihmë, ajo ka përfshirë edhe furnizimin me armatime për ushtrinë e vendit të saj.

“Po ju kërkoj armë”, iu drejtua ajo ligjvënësve amerikanë në një fjalim pasionante në Washington. “Armë, të cilat nuk do të përdoren për të pushtuar dheun e dikujt tjetër, por për të mbrojtur tokën tonë”.

Fjalët e Zelenskës vijnë vetëm një ditë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se rajonet lindore të Ukrainës nuk do të ishin të vetmet në objektivin e Moskës.

Një shtrirje më e gjerë në territorin qendror do të kërkohej prej Kremlinit, duke parë edhe rrethanat ditë pas dite në luftën e Ukrainës.

“Rusia po i shkatërron njerëzit tanë”, vijoi ajo më tej, teksa tregonte fotografitë e fëmijëve të vrarë në luftë. “Këto janë lojërat e Rusisë. Kjo është gjuetia ruse ndaj njerëzve paqësore”.

Për ndihmën e deri tanishme, amerikanët ajo i falënderoi përzemërsisht, pasi po qëndrojnë në mbështetje të lirive themelore të jetës njerëzore.

Mirëpo lufta, ende nuk është përmbyllur, siç e përkufizoi edhe Zelenska. Ndaj, koha ka ardhur që të vijohet me mbështetje më të gjerë për ukrainasit, në mënyrë që agresori rus të zhbëhet menjëherë nga territori.

Vetë Zelensky nga ana tjetër, deklaroi se vizita e zonjës së parë në Washington, synonte pikërisht të transmetonte emocionet e forta të një lufte të ashpër, në mënyrë që më shumë mbështetje të merrej në këtë sfidë që Ukraina po kalon.

“Përgjigja për luftën, janë sistemet mbrojtëse ajrore”, e përmbylli ajo fjalën, ndërsa duartrokitej nga ligjvënësit amerikanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore