Sport

Bashkëjetesa e vështirë e sportit kosovar me pandeminë


13 marsi i vitit 2020 ishte data kur në Kosovë u paraqit rasti i parë me COVID-19, e pak kush e mendoi që do të përshkallëzohej deri në këtë nivel sa e kemi parë tash pas një viti.

Të pakët ishin edhe ata që besonin se virusi do t’a bllokonte edhe zhvillimin e sportit dhe do t’i shkaktonte dëme të mëdha në imazh, reputacion dhe sidomos në aspektin financiar.

Kur flasim për Kosovë, ashtu si në krejt botën, mbyllja e bizneseve, institucioneve, dhe shumë aktiviteteve tjera, këtu bashkë me sportin, ishte i pashmangshëm.

Pamundësia që tifozët të jenë në stadiume apo salla, ndërprerja e garave, e në disa raste edhe pezullimi i tyre nga federatat përkatëse në Kosovë, ishin efektet negative që COVID-19 solli.

Si sporti më i popullarizuar, futbolli pati humbjet më të mëdha. Këtë fakt e fuqizon një përllogaritje që ka bërë FIFA, ku rezulton se futbolli në vitin 2020 ka pësuar 14.4 miliardë dollarë humbje.

Pra, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në vend, të gjitha aktivitetet sportive u ndërprenë për gati tre muaj.

Më 6 maj, Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe disa federata të zgjedhura sportive mbajtën një takim me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Takimi kishte për qëllim theksimin e nevojave të caktuara të sportit për t’u rikthyer si i tërë, si dhe disa kërkesa të veçanta për secilin sport.

KOK-u paraprakisht kishte mbajtur një takim virtual me të gjitha federatat e sportit për t’i marrë pikëvështrimet e tyre.

Më 18 maj të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftuan që do t’i lejojnë stërvitjet për superligën e futbollit të meshkujve deri më 11 qershor 2020, ndërsa futbolli i femrave dhe ai i komunitetit të mbetet në pritje.

Pas 11 qershorit, situata do të rishikohej, por Federata e Futbollit e Kosovës tashmë kishte shpallur se sezoni i Superligës do të nisë prapa dyerve të mbyllura më 7 qershor 2020, dhe ndeshjet e para të gjysmëfinales së Kupës do të mbahen më 2 dhe 3 qershor.

Kështu Këshilli Ekzekutiv i FFK-së, me rekomandimet e IKShPK-së vendosi që Superliga e Kosovës në futboll të vazhdoj garat pa praninë e tifozëve.

Por KE, gjithashtu vendosi që kategoria e dytë e futbollit në vend, të anulohet në tërësi për atë sezon, dhe ekipet që ishin në krye të tabelës KF Besa dhe KF Arbëria, të ngjiteshin në Superligë sezonin e ardhshëm që do të fillonte më 12 shtator 2020.

Kjo bëri që klubi nga Arbëria, për herë të parë në histori të luaj në Superligën e Kosovës.

FFK gjithashtu vendosi që të ndryshoj formatin, që nga sezoni 2020/21, nga 12 ekipe sa kishte Superliga, që me qëllim të rritjes së kualitetit të futbollit në vend, ta rekrutojnë atë në 10 ekipe.

Kjo bëri që katër klube: Flamurtari, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini të bien dhe dy ekipet e para në tabelë të Ligës së Parë të futen sezonin e ardhshëm në Superligë.

Pandemia COVID-19 preku edhe basketbollin e Kosovës.

Federata e Basketbollit të Kosovës, vendosi që të pezullojë tërësisht edicionin, që do të thotë se nuk kishte kampion të shpallur në asnjë gjeneratë, përfshirë këtu edhe garë elitare.

Por çuditërisht edhe pse kampioni nuk u shpall, FBK-ja mori vendim që klubet në fund të tabelës, të bien nga Superliga.

Gjithashtu edhe Superliga e Hendbollit të Kosovës u ndërpre pas paraqitjeve të rasteve të para me koronavirus.

Pas gati tre muaj pauzë, FHK në koordinim me autoritetet shëndetësore në vend, morën vendim që në fillim të muajit qershor, të lejohet stërvitja e klubeve nëpër sallat respektive, por sipas rekomandimeve të IKShPK-së.

Pas këtij vendimi, më 13 qershor Hendbolli në Kosovë u rikthye ne ndeshjet me dyer të mbyllura.

Pra, me një fjalë, masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë goditur rëndë aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike.

Dhe për të ndihmuar këto kategori, Qeveria e Kosovës ndihmoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 5 milion euro buxhet, shumë kjo që do të përdorej për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit, e që akoma nuk është shpërndarë kjo shumë dhe nuk ka përfitues.

Si përfundim, edhe në këto kushte të jashtëzakonshme, me dëmtime të mëdha financiare, pa testime të sportistëve, në pamundësi të respektohen plotësisht protokollet e shtetit dhe në kushte financiare siç janë klubet në Kosovë, sporti vazhdoi, po vazhdon, e madje me intensitet të lartë, sidomos në futboll ku skuadrat luajnë çdo të tretën ditë, se duhet kompensuar pauza e pandemisë.

Si për ironi ndaj virusit, Superliga e Kosovës në futboll është bërë më interesante se kurrë, sidomos pas ndërrimit të formatit të ligës, ku janë dhjetë ekipe, ndërsa secila me secilën takohet nga katër herë brenda një edicioni.

Vit më të jashtëzakonshëm se ky në sport, i ndikuar nga një faktor i padukshëm si COVID-19, zor se përsëritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore