Shqipëria

Basha: Zero taksë për lëndën e parë në Shqipëri


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vizitën e tij në një biznes të madh në Durrës, shpalosi detaje të angazhimeve të tij dhe planin për ekonominë dhe biznesin.

Basha u shpreh se hapi i parë që do të ndërmerret është eliminimi i lejeve, autorizimeve, “zyrtarëve anonimë” që vijnë vërdallë dhe pengojnë punën  do jetë hapi i parë i ndërmarrë në kuptimin e reformës shtetërore administrative.

Hapi i dytë sipas tij është subvencionimi qoftë përmes lehtësirave fiskale, por edhe subvencionime të drejtpërdrejta në mënyrë që kjo energji diellore të kthehet në energji elektrike.

“Përfituesi i parë do jetë vet shteti që është akoma pronari i KESH-it, i OSHE, i OST, i gjithë sistemit aktual të prodhim”.

Përfaqësuesit e biznesit treguan ankesat e tyre për centralizimin e ekonomisë, ku sipas tyre taksimi është i çuditshëm.

“Ndërkohë që përveç celulës gjithë lëndët e tjera kanë taksë doganore. Vetëm me marr panelin e gatshëm nuk paguaj taksë doganore”.

Kryedemokrati theksoi se ky taksim favorizon importin dhe ul eksportin shqiptar.

“Gjëja e parë që do bëhet është që kjo jo vetëm do ndalet, por do bëhet reversë. Ne tarifën do ia vëmë atij që e sjell të gatshme dhe do heqim çdo taksë për lëndën e parë, jo vetëm për panelet diellore, por për gjithçka që prodhohet në Shqipëri”.

Sipas tij, çfarë prodhohet në Shqipëri do të ketë taksë zero.

Basha u angazhua që situata e vështirë në të cilën ndodhet biznesi do të ndryshojë dhe me qeverinë e re, biznesi do të trajtohet si partner i rëndësishëm ku shteti do ketë rol mbështetës që ekonomia të zhvillohet dhe të krijohen hapësira për punësimin e shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore