Shqipëria

Basha vë në “kandar” Ramën e Berishën: Riciklim akuzash


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është përgjigjur akuzave të ish-kreut të bluve, Sali Berisha, duke thënë se ky i fundit riciklon akuzat e kryeministrit Edi Rama.

“I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha që riciklon akuzat e Edi Ramës”, shkruan Basha në Twitter.

Mesazhin e tij, kryeopozitari e shoqëron me një video, ku shfaqet fillimisht Rama, i cili e akuzon për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.

Në çastin e dytë, Berisha angazhohet politikisht me po të njëjtën akuzë ndaj Bashës.

Pavarësisht kësaj, kreu i PD-së ravijëzon se “me asnjë trillim nuk do ta bunkerizojë PD-në për interesat e tij personale”.

“PD është dhe do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush nuk mund ta shndërrojë në mburojë të interesave personale!”, replikon ai ndaj Berishës.

Më herët, ka qenë Berisha, ai i cili nga foltorja, akuzoi Bashën mbi një sërë çështjesh.

Kryesorja ishte një akuzë se Basha, në SHBA, do të shkonte me dy dosje të rënda.

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, nga foltorja e Librazhdit

“Lulzim, në Shtëpinë e Bardhë shkoi dhe Saimir Tahiri, me dosjen ‘Habilaj’ në kurriz. Ti shkon aty me dy dosje po kaq të rënda, ku njëra është dosja ‘Muzin’ dhe tjetra ‘Toyota Yaris’. Këtë të fundit e ndan me Taulant Ballën. Dosja ‘Muzin’ është e nxehtë për peng Bashën. Edhe Tahiri shkoi me dosjen ‘Habilaj’, por ja tek është nga gjykata në gjykatë”, deklaroi Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore