Zgjedhjet në Shqipëri

Basha: Taksat e larta kanë rrënuar shqiptarët


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar takim me një grup prodhuesish fasonë të veshjeve dhe këpucëve nga Shoqata e Fasonëve të Shqipërisë.

Në një postim në facebook, kryedemokrati është shprehur se “sipërmarrjen fasone, punëdhënësin dhe mijëra shqiptarë i kanë rrënuar taksat e larta, kostot e rritura të çmimit energjisë dhe karburanteve”.

“Janë lodhur nga zvarritjet në rimbursimin e TVSH-së, nga inspektorët çdo ditë në derë dhe nga burokracitë penguese. Nuk ka mjaftuar kjo, por edhe taksat vendore u janë më shumë se dyfishuar”.

Basha u shpreh gjithashtu se në bisedë më sipërmarrësit janë shprehur se kanë humbur 15 mijë vende pune vetëm në kompanitë e kësaj shoqate.

Një pjesë e madhe prej tyre mendojnë sot shitjen e biznesit si rrugëdalje, sepse pandemia i ka gjetur pa përkrahje nga qeveria, ndryshe nga kolegët e tyre në vendet fqinje. Shumë fasonë shqiptarë nuk do të prodhojnë në muajt e ardhshëm”.

Ai shtoi se ka prezantuar para tyre angazhimin ekonomik të programit Partisë Demokratike, për të nxjerrë “ekonominë nga kolapsi”.

“ Nuk është një listë premtimesh boshe, por një platformë shpëtimi dhe rimëkëmbjeje, sepse e kemi shkruar bashkë me sipërmarrësit, mes tyre edhe fasonët”.

Në postimin e tij, Basha listoi disa nga veprimet ekonomike që kanë krijuar impakt pozitiv tek bizneset shqiptare.

“Taksa e sheshtë 9%, anulimi i taksës Rama 240 lekë/l karburant, ulja e çmimit të energjisë dhe ulja e normës së kontributit për sigurimet shoqërore i kanë entuziazmuar bizneset shqiptare. Më shumë para do të mbeten në llogaritë e tyre për të investuar dhe rritur biznesin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore