Shqipëria

Basha takohet me pedagogët dhe mësuesit e Korçës


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me mësues dhe pedagogë në “Mësonjëtoren” e Korçës.

Basha ka dëgjuar problematikat që ka Universiteti i Korçës, nga pedagogë të ndryshëm.

Një ndër problemet ishte ligji i Arsimit të Lartë, bllokimi i doktoraturave, si dhe pamundësia e studentëve për të gjetur punë pas diplomimit.

Kryedemokrati e nisi fjalën e tij duke thënë se PD-ja është një parti që ka lindur nga pedagogët dhe studentët në universitete.

Basha tha se programi i PD-së synon kthimin në normalitet të të gjithë sistemit arsimor në Shqipëri.

Ai tha se sapo të marrë në dorë qverisjen e vendit, së pari do anulojë ligjin për Arsimin e Lartë.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi faktin se do të dyfishojë buxhetin dhe do të zerojë tarifat për arsimin bachelor dhe master për të gjithë studentët, që të ardhurat e familjes së tyre janë nën 600 mijë lekë.

“Ne jemi vendi me buxhetin më të ulët për institucionet publike në Ballkan”.

Përsa i përket hartimit të ligjit ai tha se do të bëhet në konsulencë dhe në dialog të hapur me grupet e interesit.

“Do të jetë parimi i decentralizimit dhe parimi i autonomisë”.

Për më tepër ai shtoi duke thënë se në planin e PD-së, është menduar se do të paguhen 10 mijë stazhe për një periudhë 12 mujore për të gjithë studentët ekselentë.

“Të paguara me 300 mijë lekë të vjetra. Synimi nuk është që t’iu sigurojë punë, por të krijojë urën lidhëse nga auditori drejt rrugës së punës”.

Në përfundim ai tha se më 25 prill është dita që do të çlirohen universitetet e Shqipërisë.

“Është dita për ti hequr frenat e dorës dhe Shqipëria le të lëvizë përpara”, e mbylli Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore