Shqipëria

Basha: Teatri do të ndërtohet ashtu siç ishte, aty ku ishte


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takim me qytetarët dhe bizneset në Njësinë 9 në Tiranë, shpalosi detaje të programit për rritjen e pensioneve dhe fashave mbrojtëse për pagesën e energjisë.

“Ne do të vendosim një politikë, e cila do e rrisë pensionin minimalisht me dyfishin e rritjes së normës së inflacionit dhe jo më pak se 5% e para; e dyta do ju vendosim atë fashën mbrojtëse për energjinë ku çmimi do të ulet për 300 kw/h e parë për muaj; e treta rimbursimin do të bëhet sipas diagnozës që të mos nxirrni lekë nga xhepi për të paguar ilaçet”.

Basha u shpreh gjithashtu se rimbursimi i ilaçeve do të bëhet sipas diagnozës.

“Do të marrim masa konkrete për t’ju ardhur në ndihmë se e dimë që keni harxhuar gjithë jetën me sakrifica për të na rritur ne dhe sot nuk keni vendin që meritoni në shoqëri”.

Basha theksoi se për kulturën kanë një program për t’i mbështetur artistët, duke u dhënë një status të veçantë të gjithë atyre individëve që merren me art dhe me kulturë.

“Shteti dhe sipërmarrja të sponsorizojnë artin e kulturën, po së pari shteti të bëjë detyrën e vet që buxheti për artin dhe kulturën të shkojë drejt normave evropiane, të paktën të shkojë te normat e rajonit, pasi jemi shumë më poshtë. Për teatrin, ajo firmë që kam hedhur asaj do t’i qëndrojë”.

Lidhur me bujqësinë, Basha tha se ka një paketë masash, përfshirë blegtorinë, agrobiznesin, agropërpunimin.

Basha diskutoi me qytetarët edhe për pronat.

“Do të shfuqizohet ligji që ju shpronëson për herë të dytë. Do të bëhet kthimi fizik i pronës aty ku prona është e lirë dhe do të ecet me kompensimin. Ju jeni pronarë, jo ish-pronarë”.

Sipas kryedemokratit, situata do të ndryshojë më 25 prill dhe këtij ndryshimi do t’i prijë rinia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore