Shqipëria

Basha përkujton dëshmorët e demokracisë


Me anë të një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar dëshmorët e demokracisë, të vrarë më 2 prill 1991 në Shkodër.

“Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t’ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Evropën”, shkruan Basha.

“Ai lumë njerëzish të lirë që vërshoi në rrugët dhe sheshet e Shkodrës dëshmoi se edhe në momentet më të vështira dhe përballë tiranisë më të pashpirt, shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë lirinë me çdo çmim”.

Për Bashën, heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. “Kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot”.

Protestat kundër regjimit diktatorial komunist më 2 prill 1991, i morën jetën katër dëshmorëve të demokracisë. Ata ishin të rinj studentë në Shkodër.

Shpallja e protestave në të gjithë Shqipërinë, arriti pikën kulmore në kryeqendrën e veriut. Nga aty, u demonstrua hapur qëndresa e studentëve dhe popullsisë vendase për te rrëzuar regjimin.

Vrasja e të rinjve, futi në zi jo vetëm Shkodrën, por të gjithë Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore