Zgjedhjet në Shqipëri

Basha pas takimit me Ministren austriake/ ‘PD do të sjellë ndryshim dhe demokraci në Shqipëri’


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, të enjten e 6 majit, ka zhvillur një takim me ministren austriake të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kushtetutës, Karoline Edstadler.

Në qendër të bisedimeve ishte procesi zgjedhor i 25 prillit në Shqipëri.

“Detyra jonë është të qëndrojmë të palëkundur dhe të luftojmë fort për të sjellë ndryshim dhe demokraci në Shqipëri”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati falënderoi ndihmën që Austria i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Basha vazhdon të vërë theksin te “masakra elektorale e 25 prillit”.

“Procesit zgjedhor i janë bërë manipulime masive. Kjo përmes shitblerjes së votës, përdorimit  të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga Partia Socialiste”.

Po ashtu ai e njohu ministren me faktin që PD-ja dhe kandidatët e saj kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat deri më sot nuk knpatur asnjë reagim.

Kujtojmë se PD-ja më në krye Lulzim Bashën, në koalicion me Aleancën për Ndryshim humbi në zgjedhjet e 25 prillit përballë PS-së, me në krye Edi Ramën.

Këta të fundit qeverisin vendin që prej vitit 2013, dhe në këto zgjedhje fituan mandatin e tretë të vetëm.

Kryetari i PD-së nuk ka pranuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

Ministrja austriake ka zhvilluar një sërë takimesh gjatë kësaj dite, si me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe me presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore