Shqipëria

Basha nga Korça: Ndërtojmë një shtet funksional për njerëzit


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar takimet e tij me bazën e anëtarësisë në terren, ku mbledhja e radhës është zhvilluar në Korçë dhe nga ku Basha ka nënvizuar nevojën e ndërtimit të një shteti funksional, i cili i shërben njerëzve.

Me pjesën më të madhe të pranishmëve të rinj, Basha theksoi besimin dhe vendosmërinë për të ecur përpara, në një të ardhme të cilën sipas tij, demokratët e kanë zgjedhur.

“Misioni ynë është të ndërtojmë një shtet funksional që t’u shërbejë njerëzve”, deklaroi Basha mes të pranishmëve.

Më tej, ai tha se shtresa të shumta shoqërore, ku cilësoi fermerët, në shtëpi shkojnë kokëulur, pasi shtetin nuk e kanë në krah.

“Sot, një në dy familje shqiptare, nuk sigurojnë dot më shumë se një vakt të ngrohtë në ditë”, vijoi ai. “Nuk ka ekonomi, s’ka punësim dhe s’ka shpresë”.

Sipas kryedemokratit, janë tre persona, ata të cilët i kanë zaptuar karriget e vendit.

Këtu, ai i referohet kryeministrit, Edi Rama, presidentit, Ilir Meta dhe ish-kreut të PD-së, Sali Berisha.

“Kemi një politikë sot, e cila e ka humbur ndjeshmërinë ndaj njerëzve. Ka një garë të shfrenuar për protagonizëm”.

Këtë, për kreun e bluve, ata të cilët ai i ka etiketuar si “trekëndëshi i Bermudave”, e bëjnë për të fshehur diçka tjetër, që është kapja e institucioneve.

“Detyra kryesore e këtyre institucioneve është të garantojnë ekonomi, mirëqenie, shpresë. Duhet të largohen nga politika ata që nuk justifikojnë do të pasurinë e tyre”, tha Basha, duke u bazuar në nismën e tij për veting të politikanëve.

Ndërsa, mbi zgjedhjet e 25 prillit, ku fituese doli Partia Socialiste si e vetmi, qëndrimin ai mban të prerë: Ato nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore