Shqipëria

Basha kujton Lëvizjen Studentore: Kulti i individit, për fat të keq, vazhdon


Kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka zgjedhur të kujtojë Lëvizjen Studentore të 31 viteve më parë, “përmes veprave të autorëve”.

Ai u shpreh se “kulti i individit, për fat të keq, vazhdon”, duke iu drejtuar kështu ish-liderit historik demokrat, Sali Berishës.

Drejtuar të rinjve demokratë, atyre shqiptarë, por edhe atyre që nuk janë anëtarë të PD-së, Basha tha se “në ADN-në tuaj ndodhet patjetër guximi i dhjetoristëve të vitit 1990”.

“Ne duhet të përulemi para këtij guximi, dëshmitë për të cilën nuk mungojnë, që nga takimi i gjashtë apo më shumë personave në një dhomë ku nisi lëvizja dhe pastaj u shtri kudo”, u shpreh Basha.

Ka qenë deputetja demokrate dhe shkrimtarja, Flutura Açka, e cila ka çelur siparin e fjalimeve në këtë ngjarje.

Ndërsa ka shprehur mirënjohje për mijëra studentët që u ngritën kundër regjimit, ajo theksoi se “nuk do të ishte shkrimtare pa lirinë, pa ata mijëra njerëz, që mbushën sheshet në vitin 1990”.

Kurse, një ndër themeluesit e PD-së, Preç Zogaj, tha se “nuk ka parti të djathtë që nuk dihet kush është kryetar”.

“Kjo krizë që ndodhi, ka zgjidhur dualizmin dhe ka hequr pengesën amerikane”, shprehet ai.

Gjithashtu, theksin e vuri dhe te qëndrimi i Amerikës në lidhje me PD-në.

“Pas 30 vitesh, konstatoj se për herë të parë SHBA-të kthehen dhe deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD dhe shprehin dëshirën të festojnë pranë saj fitoren, siç ka ndodhur më 1992”, u shpreh ai.

I pranishëm ishte dhe ish-deputeti i PD-së, Mark Marku, i cili analizoi situatën brenda PD-së.

“Ndihme mirë kur, bashkë me miqtë e mi studentë, në dhjetor të 90, kemi marrë pjesë në ndryshimin më të madh të regjimit, një ndryshim të sistemit pa dhunë”, tha ai.

Dita Kombëtare e Rinisë

8 dhjetori shënon tashmë Ditën Kombëtare të Rinisë dhe 31-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Që prej vitit 2009 – vendim i marrë nga Kuvendi i Shqipërisë – data përkujtohet si festë kombëtare.

Kjo, në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990.

Disa pedagogë dhe studentë të Universitetit të Tiranës, më 8 dhjetor 1990 u bënë nismëtarët e kthesës historike.

Protestave që sollën rënien e sistemit komunist në Shqipëri.

Lëvizja Studentore është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ishte motoja e atyre që kërkonin ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës.

Ata i dhanë fund epokës së vetizolimit komunist dhe sundimit ideologjik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore