Shqipëria

Basha: Kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve e organizatorëve të dhunës


Pas përfundimit të dëshmisë së tij lidhur me ngjarjet e dhunshme të protestës së 8 janarit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar “zbardhjen e plotë dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve e organizatorëve të dhunës”.

Fillimisht, kryedemokrati mbërriti në Prokurorinë e Tiranës, pas numrit dy të selisë blu, Gazment Bardhi.

Sakaq, për Bashën ne – referuar atyre që gjendeshin brenda ambienteve të PD-së – ishim subjekt i një sulmi barbar.

Duke iu kthyer ngjarjes, numri një i demokratëve, u shpreh se u shmang gjakderdhja pasi ishin të përgatitur për çdo skenar.

Ai e ka konsideruar pozitën e tij në krye të kësaj force politike jo si privilegj, por si sakrificë.

Në lidhje me figurën e ish-liderit demokrat, Sali Berisha, kryedemokrati e konsideron këtë të fundit si “pakicë absolute”.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, është ndalur edhe te raporti me demokratët në këtë periudhë të vështirë.

“Nuk i braktis demokratët, ashtu siç nuk braktis familjen time”, nënvizoi Basha.

Deklarata e Berishës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, pas dy orësh e gjysmë i marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, doli prej godinës me një zbardhje të dëshmisë së tij.

Ai drejtoi një akuzë të fortë kundrejt kreut aktual të demokratëve, Lulzim Bashës.

“Shëmtira më kryesore, akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve, ishte Lulzim Basha i rrethuar nga një bandë vrasësish, trafikantësh e pengmarrësish”.

Në një vijim akuzash për Bashën, Berisha ka rithënë sërish se sipas tij, Basha është bërë palë për të lejuar ndërtimin e kullave në oborrin e selisë blu.

Ndërsa, një paralajmërim e ka sjellë, për mbështetësit e Bashës.

“PD do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në Facebook-un tim, disa prej tyre”.

Një ditë më parë, ka qenë ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili dha dëshminë e tij në Prokurori për protestën e thirrur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore