Shqipëria

Bardhi publikon emrat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit: Zgjodhën të ardhmen


Mesditën e 20 dhjetorit Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat ka bërë publik emrat e 5 mijë e 4 delegatëve që kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të PD-së, të shtunën.

“Shumica e tyre zgjodhi për të lënë pas të shkuarën dhe për t’u drejtuar nga e ardhmja”, deklaroi Bardhi.

Kuvendin Kombëtar të PD-së, të thirrur nga kreu Lulzim Basha, u raportua se pjesëmarrja arriti kuorumin prej 65%.

Kryedemokrati Lulzim Basha

“Kuvendi ka një total prej 7 mijë e 646 delegatësh. Unë nuk futem në asnjë sistem privat, nuk mbledh të dhëna që kushdo mund t’i ketë për interesat  e tij. PD-ja ka institucione dhe cilido që pretendon se ka një rol për të luajtur duhet të jetë brenda institucioneve”, bëri me dije Bardhi.

Si fillim Bardhi lexoi emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

“Edhe pse nuk ka qenë një standard apo traditë e PD-së të publikojë emrat e pjesëmarrësve në Kuvend, pikërisht për t’i shkuar transparencës deri në fund kemi vendosur të bëjmë atë që premtuam, të publikojmë listën e plotë të anëtarëve të kuvendit”, vijoi Bardhi në fjalën e tij.

Bardhi shtoi se votat e Kuvendit të 18 dhjetorit rrëzuan vendimet e asaj të datës 11 të thirrur nga ish-lideri Sali Berisha.

Berisha
Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor 2021.

Përveç kësaj ata përjashtuan Berishën nga strukturat drejtuese për shkak të shpalljes së tij si persona non grata nga SHBA-të.

Shpallja non grata nga qeveria e SHBA-ve është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë”, shkruhej në rezolutën e 18 dhjetorit.

Gjithashtu, delegatët demokratë kanë shpallur “nul” vendimet e marra gjatë Kuvendit të thirrur nga Berisha.

Gjatë Kuvendit të këtij të fundit, delegatët pjesëmarrës – 4 mijë e 491 – shkarkuan nga detyra nënkryetarët e PD-së, si edhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Komisioni i Rithemelimit të PD-së i dalë nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha.

Gjithashtu me 4 mijë e 446 vota pro shkarkuan kryedemokratin. Ndërsa vendosën që, më 18 dhjetor, të mbahej një Referendum për shkarkimin legjitim Bashës.

Te kjo e fundit morën pjesë 43 mijë e 879 anëtarë të PD-së nga ku 43 mijë e 385 votuan pro shkarkimit të Bashës.

Me anë të këtyre shifrave, Berisha pretendon se Basha e ka marrë ndëshkimin nga anëtarësia e PD-së.

Sa i përket referendumit, Bardhi theksoi se, “nuk ka asnjë të dhënë kush ka votuar dhe si ka votuar”.

“Më 18 dhjetor ka pasur vetëm një aktivitet politik të PD-së, Kuvendi Kombëtar. Te tjerat janë aktivitete private, që bëjnë listat e tyre, sipas dëshirës së tyre”, shtoi Bardhi.

“Përçarja” e demokratëve filloi pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i kryedemokratit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore