Shqipëria

Bardhi: Në godinën e PD-së po kryhen punime, dyert të hapura për çdo demokrat


“Në godinën e PD-së në ambientet e brendshme janë duke u kryer punime. Po shtohen ambientet e punës dhe koha e llafeve ka mbaruar më 18 dhjetor”.

Kështu është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, të mërkurën e 5 janarit, fill pas mbërritjes së deputetit dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të ashtuquajtur i Rithemelimit të PD-së, Flamur Noka, pasi dyert e selisë i gjeti të mbyllura.

Bardhi deklaroi se selia qendrore e PD-së “ka qenë, është dhe do të vijojë të jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificave që punon me mund”.

Veprimet e Nokës gjatë kësaj dite Bardhi i quajti si “show mediatik – tregon dhe njëherë që tallja e vijueshme me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Edi Ramës”.

“Aktet e dhunës dhe gjuha e dhunës, e transmetuar dhe e përcjellë këto ditë, nuk është gjuhë dhe s’janë akte që u shërbejnë demokratëve, por forcimit të Edi Ramës”, vijoi Bardhi para medias.

Kryedemokrati Lulzim Basha

Sa i përket dhunës, Bardhi tha se pakicës në PD-së i ka mbetur e vetmja portë.

Duke ritheksuar dhe njëherë datën 18 dhjetor, ai shtoi se, “u zgjodh e ardhmja dhe interesi i çdo demokrati dhe i Shqipërisë”.

Bardhi e mbylli duke dhënë mesazhin se e vetmja betejë që ka PD-ja është për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës dhe selia i shërben çdo demokrati dhe jo trafikanti droge.

Sa i përket datës 18 dhjetor, Bardhi i referohet ditës kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar legjitim i PD-së, i cili rrëzoi duke i cilësuar “nul” të gjitha vendimet e dala nga ai i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha.

Ky i fundit ngriti Komisionin e Rithemelimit të PD-së dhe shkarkoi nga detyra liderin aktual Lulzim Basha, si dhe ndryshoi statutin e PD-së.

Komisioni i Rithemelimit të PD-së i dalë nga Kuvendi Kombëtar, i thirrur nga Sali Berisha.

Ndërsa Noka pas mbërritjes në seli deklaroi se më 8 janar demokratët do ta kthejnë nga “Alcatraz” – në shtëpi lirie. Kjo është data e caktuar nga Sali Berisha, për mbajtjen e protestës para selisë blu.

“Lër karrigen, ose anëtarësia do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, ka thënë ish-kryetari.

Deputeti Noka provoi të hyjë në seli, por të tria dyert kanë rezultuar të mbyllura.

“Përçarja” e demokratëve filloi pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i kryedemokratit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore