Sport

Barcelona nuk do të luajë në “Camp Nou” në sezonin 2023-24


Barcelona nuk do t’i zhvillojë ndeshjet si vendase në “Camp Nou” gjatë sezonit 2023-24.

Sipas mediave spanjolle, kjo gjë u konfirmua gjatë ditës së sotme, pasi që stadiumi i blaugranave pritet t’i nënshtrohet rinovimit.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta dhe Këshilli i Qytetit të Barcelonës janë pajtuar që klubi të zhvillojë ndeshjet si vendas në stadiumin olimpik “Lluis Company”, i cili ka një kapacitet prej 55 mijë ulëse.

Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle, “Marca”, zhvillimi i ndeshjeve në këtë stadium gjatë sezonit 2023-24, do t’i kushtojë klubit blaugrana rreth 17 milionë funte.

Laporta ka konfirmuar marrëveshjen me Këshillin e Qytetit për shfrytëzimin e stadiumit dhe e ka falënderuar qytetin për ndihmën.

“Faleminderit që na lejuat të luajmë ndeshjet në stadiumin olimpik. Ne do t’i zhvillojmë ndeshjet aty derisa punimet në ‘Camp Nou’ do të përfundojnë”, ishin disa nga fjalët e presidentit të Barçës.

Te Barcelona besojnë se rinovimi i stadiumit do t’iu sjellë atyre të ardhura shtesë prej 160 milionë eurosh në sezon.

Mediat në Spanjë shkruajnë se rinovimi i “Camp Noou” do t’i kushtojë Barcelonës rreth 1.2 miliardë funte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore