Sport

Barcelona lëshon por edhe fiton pikë përballë Granada-s


Barcelona ka arritur që në minutën e fundit të kohës së rregullt të shpëtojë të paktën një pikë përballë Granada-s.

Katalunasit në këtë ndeshje vinin me disa mungesa pas humbjes së thellë përballë Bayern Munich.

Po në “Camp Nou”, katalunasit prisnin Granada-n që nuk din për fitore në La Liga këtë sezon.

Papritur, mysafirët shënuan vetëm pas dy minutave, me anë të Domingo Duarte-s.

Që nga ai moment, ata nuk krijuan asnjë mundësi, duke u mbrojtur vazhdimisht nga një gol i mundshëm i barazimit.

Granada këtë e arriti shumë mirë, të paktën deri në minutën e fundit të kohës së rregulltë.

Ishte Araujo ai që shfrytëzoi një krosim të Gavi-t për të barazuar shifrat.

Barcelona humbi dy pikë, por njëkohësisht fitoi një që mund ta mos kishte arritur fare.

Për katalunasit, ky është hapi i dytë fals këtë sezon, pas barazimit në fushën e Bilbao-s.

Me një ndeshje më pak të luajtur, ata tani gjenden në vendin e shtatë me tetë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore