Sport

Barcelona dhe Koeman kërkojnë fitoren përballë ekspertit Lucescu


Barcelona do të presë në “Camp Nou”, ukrainasit e Dynamo-s së Kievit, duke filluar nga ora 21:00. Si rrallë herë më parë, klubi blaugrana renditet në vendin e fundit në grup, ku në dy ndeshjet e para nuk ka marrë asnjë pikë.

Gjyqtari francez, Clement Turpin, që ishte kryesori edhe në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë, një javë më parë do të jetë kryesori në këtë sfidë.

Të dy skuadrat renditen përkatësisht, Dynamo në vendin e tretë me një pikë dhe Barcelona në të katërtin pa asnjë pikë.

Kjo do të jetë përballja numër 11 në Champions League mes Barcelona-s dhe Dynamo-s. Në 10 sfidat e mëparshme, shtatë herë kanë fituar spanjollët dhe tre herë ukrainasit.

Dy përballjet e fundit mes tyre në këtë kompeticion janë luajtur në sezonin e kaluar. Barcelona ka triumfuar në të dy sfidat, me rezultatin 4-0 në Ukrainë dhe 2-1 në “Camp Nou”.

Fitorja e fundit e Dynamo-s ndaj Barcelona-s ka qenë pikërisht në “Camp Nou”. Ishte sezonin 1997/98 kur miqtë fitonin me rezultatin 4-0.

Ronald Koeman-i është përballur katër herë me Dynamo-n. Dy ndeshje i ka fituar. Ato të sezonit të kaluar me Barcelona-n. Ndërkohë, ka humbur dy ndeshjet e tjera, në kohën kur drejtonte holandezët e Feyenoord-it.

Rumuni, Mircea Lucescu, që drejton ukrainasit numëron 11 perballje me Barcelona-n në karrierën e tij. Tetë ndeshje i ka humbur, një e ka barazuar dhe dy i ka fituar.

Dy fitoret e vetme i ka arritur në kohën kur drejtonte Shakhtar-in e Donieskut. Ndërsa, barazimi ka ardhur në kohën kur drejtonte Galatasaray-n në vitin 2001.

Dy teknikët kanë vetëm dy përballje me njëri-tjeterin, ato të sezonit të kaluar. Përfundimi dihet, Koeman-i i fitoi të dy sfidat.

Në arenën ndërkombëtare, Lucescu është më i suksesshëm se Koeman-i. Ai ka arritur të fitojë UEFA Europa League me Shakhtar-in në sezonin 2008/09 dhe Superkupën e Evropës me Galatasaray-n në sezonin 2000/01.

Holandezi nuk ka asnjë titull ndërkombëtar të fituar gjatë periudhës si trajner.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore