Sport

Barcelona dhe Juventus-i ‘të ngrira’ pa Messi-n dhe Ronaldo-n


Që nga largimi i Lionel Messi-t nga Barcelona dhe Cristiano Ronaldo-s nga Juventus-i, të dy skuadrat kanë pasur vështirësi.

Më 5 gusht 2021, Barcelona njoftoi se bisedimet e tyre me Messi-n për rinovimin e kontratës kishin ngecur.

Spanjollët të gjendur në vështirësi financiare dhe me kufizimin mbi tavanin e pagave të vendosur nga La Liga, nuk mund t’i ofronin rinovimin argjentinasit.

Pesë ditë më vonë, Messi u zyrtarizua te PSG-ja. Kështu u mbyll aventura e 17 sezoneve të “pleshtit” te Barcelona.

Largimi i Ronaldo-s nga Juventus-i ishte më ndryshe. Portugezi njoftoi klubin se dëshironte të niste një sfidë të re në karrierë. Ai kaloi te Manchester United me 27 gusht, kur e kishte nisur sezonin e ri me “Zonjën e Vjetër”.

Që nga largimi i dy superyjeve të futbollit botëror, ish-klubet e tyre janë shumë larg objektivave. Madje të dy skuadrat janë momentalisht jashtë zonës Champions në kampionatet përkatëse.

Barcelona pas 17 sezonesh me Messi-n, këtë sezon ka mbetur pa ide, pa ritëm, pa gola dhe pa qëndrim. Edhe tani me Xavi Hernandez-in në stol, përsëri Barcelona-s i mungon diçka. Ata nuk kanë golashënues.

Largimi i Messi-t ishte “qershia mbi tortë” për keq. Në fillim u largua Luis Suarez-i, më pas Antoine Griezmann-i dhe Messi. Dhe sulmuesi i ri, që do të duhet të mbulonte boshllëkun u zgjodh, Luuk de Jong-u. Sulmuesi rezervë i Sevilla-s.

Gjërat janë përmirësuar disi vetëm në aspektin e shpërthimit të disa talenteve të reja si Pedri, Gavi dhe Ansu Fati.

Përsa i përketë italianëve, Ronaldo shënoi 101 gola në 134 paraqitje me ta. Pas ikjes së portugezit, pesha e sulmit i mbeti Alvaro Morata-s. Spanjolli nuk është Ronaldo dhe as nuk mund të bëjë golat që bënte ai.

Juventus-i e filloi sezonin jo në mënyrën e parashikuar, megjithëse ndeshjet e fundit e kanë marrë veten. Pavarësisht se mbeten 12 pikë larg Inter-it kryesues.

I vetmi aspekt pozitiv i Juventus-it ishte kalimi i grupit në Champions League. Edhe pse përbaljen më të fortë në grup, atë me Chelsea-n e humbi në shifrat 4-0, ndërsa kishte fituar të parën 1-0.

Si Juventus-i, ashtu dhe Barcelona, po ndjekin rrugë të ngjashme. Të dy skuadrave u mungojnë goleadorët. Italianët shpresojnë të gjejnë zgjidhje te Paulo Dybala. Spanjollët te nënshkrimi më i ri, Ferran Torres-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore