Sport

Barça përballë falimentimit dhe humbjes së futbollistëve të sapotransferuar


1.3 miliardë në borxh, Barcelona duket se po i afrohet një fundi të hidhur.

Menaxhimi i Barcelonës në dekadën e fundit ka qenë shumë i dobët, çka e vërtetojnë shifrat e borxheve të tyre dhe problemet që kanë hasur së fundmi.

Të premten, ata humbën Messi-n, pikërisht për shkak të problemeve financiare.

Në fjalimin e lamtumirës, Messi u shpreh që bëri gjithçka për të qëndruar, por problemet financiare nuk e lejuan.

Por, largimi i Messi-t dhe pamundësia për ta regjistruar atë, duket se është vetëm fillimi i problemeve për Barcelonën.

Kështu raporton gazetari shumë i afërt me klubin, Sique Rodriguez.

Ai thotë që Barcelona shpreson që deri të enjten të gjejë akordin me disa futbollistë për uljen e pagave dhe me disa të tjerë për largimin e tyre.

Por kjo, sipas Rodriguez, është jashtëzakonisht e vështirë.

Dhe, pamundësia për të arritur këtë marrëveshje, dërgon te një e pamundur tjetër, ajo e regjistrimit të futbollistëve të rinj.

Gjatë kësaj vere, Barcelona ka arritur transferimin e Kun Aguero-s, Memphis Depay-t, Eric Garcia-s dhe Emerson Royal-it.

Por, momentalisht, duket e pamundur që këta të regjistrohen në librat e klubit katalunas, si rezultat i borxheve të mëdha dhe limitit të pagave.

Kjo do të thotë që të gjithë këta futbollistë do të detyrohen që të gjejnë klube të reja, para mbylljes së merkatos verore.

Falimentimi, dikur një realitet i largët, tani diçka para syve të presidentit Laporta.

Barcelona çdo ditë e më shumë po afrohet drejt një fundi të hidhur, që do të shihte klubin katalunas të humbasë gjithçka çfarë posedon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore