Muzikë

Barbana Dini publikon këngën tjetër të Ergi Dinit, të cilën ai e kishte krijuar pak para se të vdiste


Siç edhe kishte premtuar kohë më parë, së fundmi, këngëtarja, Barbana Dini, motra e artistit të ndjerë, Ergi Dini, ka publikuar këngën e radhës të cilën ky i fundit e kishte krijuar pak kohë para se të ndërronte jetë.

“Loco” titullohet kënga të cilën, Barbana, e ka publikuar në kanalin e saj të platformës në YouTube.

“Një këngë e punuar disa vite më parë nga Ergi në studion e Alandy, të cilën do e gjeni në kanalin tim zyrtar! E publikojmë pikërisht sot duke qenë se ishte një material muzikor i përshtatshëm për stinën e verës”.

“Jemi munduar ta përshtatim diçka duke pasur mungesë materialesh filmike të tij për ta shoqëruar duke pasur parasysh faktin që shumë nga ju e deshët pafund dhe do donit të dëgjonit diçka të re nga AI!”, ka shkruar këngëtarja në postimin promovues.

Një intervistë të ndjeshme ka dhënë edhe Dashamir Dini, babai i këngëtarit që nuk jeton më, i cili i ishte i ftuar në emisionin “Rudina” dhe u përlot teksa fliste për djalin e tij që u nda nga jeta në moshën 22 vjeç.

“Është obligim ndaj vetes si prind dhe si mik i tij, më shumë. E kam për detyrë të çoj deri në fund çdo gjë që ai solli e arriti të krijojë për një periudhë shumë të shkurtër, 22 vjeç ai krijoi 7 këngë që nuk ishin pak për një 22-vjeçar”.

“Dha muzikë shumë të mirë e interpretime shumë të mira që la mbresë për ne e kujtohet, qe një djalë i shkëlqyeshëm prandaj edhe kujtohet“, tha ai.

Ndërsa në pyetjen drejtuar se si ndihet ai që i realizoi këngët e Ergit, Dashamiri, kishte një përgjigje epike.

“Unë ndiej një lloj çlirimi sepse kam bërë aq sa kam mundur për ta realizuar”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, këngëtari, Ergi Dini bashkë me mikun e tij, Klejdi Halili, kishin ndërruar jetë në nëntorin e 2016-të, pas plagëve të marra nga një aksident me motoçikletë.

Ergi Dini dhe Klejdi Halili.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore