Lajme

Baradar mohon të jetë plagosur në përleshjet mes grupeve rivale talebane


Mullah Abdul Ghani Baradar

Zëvendëskryeministri në detyrë i Afganistanit, Mullah Abdul Ghani Baradar, është shfaqur në një video ku ka mohuar raportimet se ishte plagosur në një përleshje me një grup rival të talebanëve.

Bashkëthemeluesi i talebanëve ishte zhdukur prej disa ditësh.

Është raportuar për një përçarje mes udhëheqësve talebanë, përfshirë Baradar-in dhe në faksion që i qëndron besnik rrjetit të fuqishëm të Haqqani-n.

Rrjeti i fuqishëm taleban Haqqani

Por në intervistën e re të publikuar, Baradar mohon se ka përleshje të brendshme.

“Jo, kjo nuk është e vërtetë, jam mirë dhe i shëndetshëm”, tha Barabar kur u pyet nëse është lënduar.

Isha jashtë nga Kabulli dhe s’kam pasur qasje në internet për t’i demantuar lajmet e rrejshme, shtoi ai.

Një video e shkurtër e postuar në Twitter nga zyra politike e talebanëve në Doha, e shfaq atë ulur në një sofa afër një intervistuesi të televizionit shtetëror, që shihet duke lexuar një letër.

“Faleminderit Zotit që kemi marrëdhënie të mira dhe që e respektojmë njëri-tjetrin. Marrëdhëniet tona janë edhe më të mira se ato familjare”, tha ai.

Baradar ishte udhëheqësi i parë taleban që ka komunikuar direkt me presidentin e SHBA-ve, përmes një bisede telefonike me Donald Trump në vitin 2020.

Para kësaj, ai pat nënshkruar marrëveshjen e Doha-s për tërheqjen e trupave amerikane nga ana e talebanëve.

Forca talebane në Afganistan

Videoja e re vjen pasi zyrtarë të lartë talebanë i thanë BBC -së se përkrahësit e Baradar u grindën me një fraksion besnik ndaj Khalil ur -Rahman Haqqani – ministër për refugjatët dhe një figurë e shquar brenda rrjetit militant Haqqani.

Burime të BBC-së thanë se situata ishte përkeqësuar, sepse Baradar ishte i pakënaqur me strukturën e qeverisë së tyre të përkohshme.

Mosmarrëveshja gjithashtu thuhet se buronte nga përçarjet se kush në talebanët duhet të merrte merita për fitoren e tyre në Afganistan.

Baradar thuhet se beson se theksi duhet t’i kushtohet diplomacisë nga njerëz si ai, ndërsa anëtarët e grupit Haqqani – i cili drejtohet nga një prej figurave më të larta talebane – dhe mbështetësit e tyre thonë se kjo është arritur përmes luftimeve.

Rrjeti i fuqishëm taleban Haqqani është i lidhur me disa nga sulmet më të dhunshme që kanë ndodhur në Afganistan kundër forcave afgane dhe aleatëve të tyre perëndimorë vitet e fundit.

Haqqani është shpallur nga SHBA si një organizatë terroriste.

Rrjeti ushtarak taleban Haqqani

Udhëheqësi i saj, Sirajuddin Haqqani, është ministri i Brendshëm në qeverinë e re.

Thashethemet për një përplasje janë përhapur që nga fundi i javës së kaluar, kur Baradar – një nga fytyrat më të njohura të talebanëve – u zhduk nga sytë e publikut. Kishte spekulime në mediat sociale se ai mund të kishte vdekur.

Burimet talebane për BBC-në thanë se Baradar ishte larguar nga Kabuli dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Kandahar pas grindjes.

Para se të dilte intervista e re, një zyrtar nga komisioni kulturor i talebanëve tha në Twitter se intervista do të transmetohej në TV shtetëror RTA, për të hedhur poshtë “propagandën e armikut”.

Talibanët morën kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar dhe që atëherë e kanë shpallur vendin një “Emirat Islamik”.

Kabineti i tyre i ri i përkohshëm është tërësisht i përbërë me burra dhe përbëhet nga figura të larta talebane, disa prej të cilëve janë të njohur për sulmet ndaj forcave amerikane gjatë dy dekadave të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore