Sport

Barack Obama mund të blejë Phoenix Suns


Obama/ Photo: Getty Images

Dashuria e ish-presidentit amerikan, Barack Obama për basketbollin është e njohur. Ai është parë duke luajtur me anëtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë dhe është parë gjithashtu në tribuna në ndeshjet e ligës më të mirë të basketbollit në botë, NBA.

Marrëdhënia e tij me sportin mund të shkojë në një nivel të ri.

Sipas gazetarit të njohur, Bill Simmons, themelues i “The Ringer”, Obama dhe një grup investimesh ku ai bën pjesë, mund të marrin pronësinë e klubit të Phoenix Suns.

Suns janë në kërkim të një pronari të ri pas polemikave dhe skandaleve të shumta që përfshijnë Robert Sarver.

Skandalet e ndryshme dhe sanksionet nga NBA e detyruan Sarver-in ta nxjerrë klubin në shitje. Grupe të ndryshme nxituan të marrnin përsipër ekipin që është pretendent në Konferencën Perëndimore.

Robert Sarver/ Photo: Christian Petersen | Getty Images

Por klubi nuk është i lirë. Sipas “Forbes”, Phoenix vlen midis 2.5 dhe 4 miliardë dollarëve. Megjithatë, për të marrë pronësinë e klubit mjafton që të blihen 40 për qind të aksioneve.

Çfarë ndodhi me Sarver

Në shtator të këtij viti, Sarver u pezullua për një vit dhe u gjobit me 10 milionë dollarë nga NBA pas një hetimi lidhur me pretendimet për racizëm dhe mizogjini.

NBA e gjeti Sarver-in “të angazhuar në sjellje që shkelnin qartë standardet e zakonshme të vendit të punës”.

Ata gjetën prova të “gjuhës së pandjeshme racore, trajtimit të pabarabartë të punonjësve femra dhe deklaratave dhe sjelljeve të lidhura me seksin”. Trajtimi i Sarver-it ndaj punonjësve gjithashtu “me raste përbënte bullizëm”.

Hetimi, i cili intervistoi 320 persona dhe shqyrtoi 80 mijë dokumente dhe video, u nxit nga një artikull i “ESPN” në nëntor 2021.

Dënimi i Sarver është më pak i rëndë se ai i vendosur ndaj Donald Sterling, pronarit të atëhershëm të Los Angeles Clippers.

Ai u përjashtua përgjithmonë nga NBA në 2014 pasi u regjistrua duke përdorur gjuhë raciste në një bisedë private. Liga më vonë detyroi shitjen e ekipit te pronarët e rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore