Libra

Barack Obama dhe Bruce Springsteen sjellin librin e bisedave mes tyre


Kopertina e librit “Renegades: Born in the USA”

Pas podcast-ëve në “Spotify” në fillim të këtij viti, ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe këngëtarit të madh amerikan, Bruce Springsteen, kanë vendosur të botojnë librin e titulluar “Renegades: Born in the USA” prodhuar nga shtëpia e madhe botuese “Penguin”.

Libri është përshkruar si një koleksion i bisedave “të dëlira, intime, dhe argëtuese mes tyre”.

Ai po ashtu do të përmbajë më shumë se 350 fotografi dhe ilustrime, e mes tyre do të ketë imazhe dhe arkiva eksluzive të autorëve, si tekstet e këngëve të Springsteen-it shkruar nga dora e tij, dhe draft-fjalimet e fjalimeve të mëdha të Obama-s, si “Selma” dhe “Amazing Grace”.

Lajmi u bë publik nga Markus Dohle, drejtori ekzekutiv i “Penguin Random House”, i cili ka blerë të drejtat e botimit nga kompania “Deneed Howell of Williams&Conolly LLP”.

“Gjatë viteve ne kemi parë se kemi ndjeshmëri të përbashkët për shumë gjëra. Për punën, familjen, Amerikën. Në mënyrat tona, unë dhe Bruce kemi qenë mes udhëtimesh paralele për ta kuptuar këtë vend i cili na ka dhënë aq shumë. Kemi bërë kronikën e historive të njerëzve. Kemi kërkuar mënyra për të lidhur veten tonë individuale me kërkimin e kuptimit, të vërtetës dhe komunitetit të përfshirë brenda hisotirës së madhe të Amerikës”, shkruhet nga Obama në faqet e para të librit.

Kurse Springsten shkroi se ata bënë biseda serioze rreth fatit të Amerikës, fatmirësinë e qytetarëve të saj dhe për forcat e errëta korruptive që mundohen ta rrënojnë atë.

“Kjo është një kohë që kërkon vigjilencë sepse ne jemi para një testimi shumë serioz. Kemi pasur biseda të vështira për atë se kush jemi, dhe kush duam të jemi, që ndoshta t’i shërbejë dikujt si udhëzues i vogël”.

“Kjo është një kohë që kërkon shqyrtim serioz, për atë se kush duam të jemi dhe çfarë lloj vendi do t’iu lëmë fëmijëve tanë. Brenda këtij libri nuk do të gjeni përgjigjet për ato pyetje, por do të gjeni disa kërkues që bëjnë më të mirën e tyre për shtrimin e këtyre pyetjeve në mënyrën më të mirë”, ka shtuar më tej këngëtari i madh Springsteen.

Libri në gjuhë angleze që do të botohet së pari në ShBA dhe Kanada do të jetë 320 faqe për nga vëllimi, dhe do të ketë çmimin 50 dollarë në Amerikë, dhe 65 dollarë në Kanada.

Ndërsa versioni e-book 18 dollarë në Amerikë, dhe 22 dollarë në Kanada. E-book do të jetë shpejt edhe në spanjisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore