Ekonomi

Bankat qendrore tregojnë interes për monedhat digjitale


Interesi i madh për kriptovalutat dhe pandemia Covid-19 kanë ngjallur debate midis bankave qendrore nëse ato duhet të emetojnë monedha digjitale në pronësi të tyre.

Kina ka qenë në krye në zhvillimin e monedhës së saj digjitale.

Ajo është duke punuar në këtë veprimtari që nga viti 2014.

Zyrtarët e bankës qendrore kineze tashmë kanë kryer fushata masive në qytetet kryesore duke përfshirë Shenzhen, Chengdu dhe Hangzhou.

“Eksperimenti i Kinës është me përmasa shumë të mëdha”, tha J. Christopher Giancarlo, ish-kryetar i Komisionit të Tregtimit të të Ardhurave të Mallrave të SHBA.

“Kur të gjithë pjesëmarrësit do të shkojnë në Pekin, dimrin e ardhshëm, për Lojërat Olimpike Dimërore, ata do të përdorin valutat e reja digjitale për të qëndruar në hotele dhe restorante. Bota do të jetë dëshmitare sesi do funksionojnë monedhat digjitale të bankës qendrore, brenda vitit të ardhshëm”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjithashtu, nuk po qëndrojnë pas.

Në fund të shkurtit të vitit 2021, kryetari i Rezervave Federale (Fed), Jerome Powell, tha se SHBA do të angazhohet me publikun për përdorimin e dollarit digjital, këtë vit.

Ekonomistët pretendojnë se monedhat digjitale të bankave qendrore mund të bëjnë më të lehtë transaksionet ndërkufitare, të promovojnë përfshirjen financiare dhe të sigurojnë stabilitetin e sistemit të pagesave.

Rreziku i ‘panikut bankar’

Ekzistojnë gjithashtu rreziqe të privatësisë dhe mbikëqyrjes me monedhat digjitale të lëshuara nga qeveria.

Në kohë pasigurie ekonomike apo një krizë financiare, familjet dhe bizneset mund të kërkojnë të mbajnë pasurinë e tyre në përgjegjësinë e bankës qendrore, e cila është më e sigurtë sesa bankat e sektorit privat. Ndërsa kjo zhvendosje po ndodh midis depozitave dhe parave në dorë, monedha digjitale do ta bënte procesin më të lirë dhe më të shpejtë. Kjo, sipas ekspertëve krijon mundësi në shpeshtimin dhe ashpërsimin e panikut bankar, i cili krijohet kur një numër i madh klientësh të një banke të nivelit tërheqin depozitat e tyre për shkak të frikës për aftësinë paguese të bankës.

Ndryshimi i  monedhës digjitale të bankave qëndrore me kriptovalutat

Monedhë digjitale është quajtur çdo monedhë që menaxhohet, ruhet apo shkëmbehet kryesisht përmes internetit. Llojet e monedhave digjitale përfshijnë kriptovalutat dhe monedhën digjitale të bankave qendrore.

“Një nga ndryshimet midis një monedhe digjitale të bankave qendrore dhe një Bitcoin-i është mënyra e emetimit të tyre. Ndërsa operacionet, në rastin e dollarit, janë të centralizuara dhe i vetmi që mund ta lëshojë atë është Fed-i, në rastin e një Bitcoin është krejtësisht ndryshe”, thotë Alberto Muñoz Cabanes, Profesor në Departamentin e Ekonomisë së Zbatuar dhe Statistikat në Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED).

“Bitcoin mund të prodhohet lehtësisht nga të gjithë, mjafton të kenë procesorë apo karta grafike të programuara për ‘minimin’ e tij”.

“Nga një këndvështrim ekonomik, kriptovalutat e tilla si Bitcoin ose Ethereum, nuk janë të ankoruara në vlerën e një oferte ligjore. Ato i nënshtrohen çmimit të përcaktuar nga oferta dhe kërkesa. Për më tepër, duhet të kihet parasysh se ato nuk mbështeten nga një person juridik që përgjigjet në rast të problemeve teknike”, shpjegon Natalia Español, një ekonomiste në kompaninë financiare BBVA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore