Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Polemikat monetare gjatë pandemisë Covid-19


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në Konferencën Shkencore “Pandemia dhe rimëkëmbja – strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko, u shpreh se pandemia Covid-19 shkaktoi një goditje negative të paprecedentë që kërkoi një përgjigje të jashtëzakonshme nga autoritetet monetare e fiskale në të gjithë globin. Përballë kësaj goditjeje, bankat qendrore kanë dalë jashtë kornizave tradicionale, duke përdorur një politikë monetare zgjeruese të bazuar në  e bilancit të bankës qendrore.

“Pandemia e Covid-19 shkaktoi një goditje negative të paprecedentë dhe po kështu kërkoi një përgjigje të jashtëzakonshme nga autoritetet monetare e fiskale në të gjithë globin. Përballë kësaj goditjeje, bankat qendrore kanë dalë jashtë kornizave tradicionale, duke përvetësuar një politikë monetare ekspansioniste të bazuar në zgjerimin e bilancit të bankës qendrore”.

Guvernatori theksoi se është e natyrshme që ekonomistët të përballen me dilemën nëse këto praktika jashtë normales janë të përshtatshme edhe për ekonomitë e vogla, si e jona. Shqipëria, tha ai, ka shkallën e euroizmit të lartë dhe vlerën monetare të dobët

“Është rrjedhimisht e natyrshme që ekonomistët të përballen me dilemën nëse këto praktika jokonvencionale janë të përshtatshme edhe për ekonomitë e vogla.

Përgjigjja e dhënë është: ndoshta, por jo domosdoshmërisht! Kjo sepse politikat jokonvencionale mbartin rreziqe me natyrë monetare e financiare”.

Gjatë diskutimit të tij, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vlerëson se pandemia ka dhënë një goditje të konsiderueshme në aktivitetin ekonomik. Por, shton ai, janë marrë masa lehtësuese për familjet dhe bizneset.

“Në përgjigje të këtyre goditjeve, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash të karakterit monetar, duke lehtësuar kushtet monetare përmes uljes së normës së interesit dhe injektimit të pakufizuar të likuiditetit në ekonomi”.

“Njëkohësisht, janë marrë një sërë masash makro e mikroprudenciale për të siguruar që problematikat financiare afatshkurtra të biznesit dhe të familjeve të mos dëmtojnë stabilitetin e sistemit bankar, e të mos pengojnë aktivitetin dhe rolin e tij ndërmjetësues në ekonomi”.

Në dallim nga bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara, Banka e Shqipërisë nuk ka aplikuar masa jokonvencionale të politikës monetare për zgjerimin e bilancit të saj, sqaroi guvernatori.

“Në përgjithësi, konceptet e reja mbi natyrën dhe instrumentet e politikës monetare anashkalojnë disa parime themelore të qëndrueshmërisë së bilanceve ndërkohore të qeverisë, bankës qendrore e ekonomisë në përgjithësi”.

“Këto parime të shprehura në formën e kufizimeve sasiore përbëjnë thelbin e politikave të qëndrueshme për ekonomitë e vogla e të hapura në zhvillim. Aplikimi i pastudiuar i këtyre praktikave mund të rezultojë i rrezikshëm për këto ekonomi”.

Guvernatori nënvizoi se suksesi dhe dobishmëria e ndryshimeve të propozuara për të arritur objektivat e politikës monetare, do të mbeten për t’u vërtetuar në të ardhmen nga rezultatet konkrete të bankave qendrore që i kanë aplikuar dhe nga studimet empirike të akademisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore