Shqipëria

Banka e Shqipërisë për Albanian Post: Rënia e euros ka pasoja, por jo alarmante


Muaji maj i 2023-it ka qenë pozitiv për lekun, por jo për euron.

Euro u afrua në nivele minimale historike, që u shënuan në pjesën e dytë të muajit prill.

Lidhur me këto dinamika lëvizjeje në këmbim valutor, Albanian Post ka komunikuar me Bankën e Shqipërisë për të analizuar faktorët ndikues dhe pasojat që vijnë prej tyre.

“Për sa kohë trendi mbiçmues i kursit të këmbimit bazohet në përmirësime të faktorëve fondamentalë, ai nuk sjell pasoja negative për ekonominë – në agregat. Teoria dhe praktika ekonomike tregojnë se forcimi i kursit është një fenomen që shoqëron ekonomitë të cilat janë në rrugën e konvergjimit të të ardhurave reale të tyre me nivelin e Bashkimit Evropian”, ravijëzon Banka.

Kjo e fundit vlerëson se trendi disa-vjeçar forcues i lekut pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare.

Sa i përket kësaj situate, këto përmirësime ndikojnë në disa tregues.

Kjo, te “bilanci i pagesave – rënia e deficitit tregtar, rritja e eksporteve, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte – dhe në forcimin e besimit të publikut në qëndrueshmërinë e monedhës sonë kombëtare”.

Por, çfarë efekti konkret krijohet në Shqipëri?

Sipas Bankës, mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikon ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve.

“Kanali i eksporteve neto, i cili kap ndikimin që mbiçmimi i kursit të këmbimit jep në eksporte, dhe rrjedhimisht në rritjen ekonomike. Nisur nga intensiteti i lartë importues i ekonomisë shqiptare, ky ndikimi zbutet nga rritja e fuqisë blerëse të bizneseve e konsumatorëve, e cila ndihmon prodhimin vendas”, thuhet në përgjigjen e BSH-së, dhënë për AP-në.

Gjithashtu, kanali i bilancit financiar të agjentëve ekonomikë, i cili kap ndikimin që mbiçmimi i kursit të këmbimit jep në uljen e pagesave të huave në valutë (euro), duke i lënë huamarrësve të valutës fonde të lira në dispozicion për të konsumuar e investuar.

Ai i normave të interesit, sipas Bankës jep në reduktimin e primeve të rrezikut për kreditë në valutë, duke ndikuar në uljen e kostove të financimit të ekonomisë.

“Kanali i çmimeve është i dyfishtë: ai ndikon indirekt nëpërmjet kërkesës agregate (kanalet e mësipërme) dhe, drejtpërdrejt, nëpërmjet pjesës së importuar të shportës së konsumit”.

Në agregat, tregon institucioni shtetëror, trendi forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të ekonomisë shqiptare dhe në mbështetjen e konsumit e të investimeve.

“Rritja ekonomike gjatë vitit 2022 vijoi të ishte dinamike dhe u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave. Nga ana tjetër, rritja e inflacionit ishte më e ngadaltë dhe inflacioni në vend ishte më i ulëti në rajon”.

Ndër të tjera, efekti i krijuar afekton treguesit ekonomik.

“Ecuria e kursit të këmbimit ka një rol të rëndësishëm në transmetimin e presioneve të huaja inflacioniste në vend, në konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare në tregjet e huaja, si dhe stabilitetin financiar të vendit, i parë ky në këndvështrimin e aftësisë paguese të kredi-marrësve në monedhë të huaj të pambrojtur ndaj kursit të këmbimit dhe të qëndrueshmërisë së borxhit të huaj të sektorit publik dhe privat”.

Kështu, parë në terma më të detajuara, forcimi i këmbimit gjatë vitit që lamë pas dhe në muajt e parë të 2023-it ka ndihmuar në “reduktimin e presioneve inflacioniste nga jashtë”.

“Në mungesë të këtij forcimi, çmimet e importit të shprehura në lekë do të ishin më të larta dhe, rrjedhimisht dhe inflacioni në vend. Përkundrazi, inflacioni në vend ka qenë dhe mbetet më i ulëti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare”.

Sipas Bankës, tjetër ndikim lidhet me normalizimin “më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare”.

“Niveli më i ulët i inflacionit ka kërkuar rritje më të vogla dhe më graduale të normës bazë të interesit, të cilat janë transmetuar më tej në norma më të ulëta interesi për të gjitha instrumentet financiare në lekë. Në mungesë të këtij forcimi, normat e kreditimit do të ishin më të larta për të gjithë bizneset dhe familjet, dhe po ashtu konsumi dhe investimet do të  ishin më të ulëta dhe rritja ekonomike më e pakët”.

Sa i përket qëndrueshmërisë së bilanceve të kredimarrësve në valutë, ka pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit, ndërsa për qëndrueshmërinë e borxhit të huaj të ekonomisë shqiptare ka reduktuar edhe kostot e tij të financimit në tregjet financiare ndërkombëtare.

Përpos gjithë efekteve ndryshuese, dinamikat e prekjes së ndryshimit janë të dyanshme. Dikush pëson humbje, e dikush fiton.

Për këtë, Banka sqaron se në mënyrë të natyrshme, “kur flasim për tregues agregate si kursi i këmbimit duhet të kemi parasysh se jo të gjitha njësitë ekonomike preken njësoj”.

“Në terma të përgjithshme, ato njësi të cilat kanë të ardhura në valutë dhe shpenzime në lekë janë më të ekspozuara ndaj humbjeve që rezultojnë nga mbiçmimi i lekut. E anasjellta është e vërtetë për njësitë me të ardhura në lekë dhe strukturë kostoje në valutë”.

Sipas institucionit më të lartë financiar në vend, “në kushtet e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit, rreziku financiar nga luhatjet e kursit të këmbimit ka qenë dhe do të mbetet një element i përhershëm i realitetit”.

“Për këtë arsye, të gjithë bizneset dhe individët që janë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, duhet të kenë një shkallë të shtuar kujdesi në aktivitetin e tyre dhe një bashkëpunim sa më të ngushtë me sektorin bankar i cili ofron instrumente financiare mbrojtëse ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshme të kursit të kursit të këmbimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore