Rajoni

Banka Botërore: Rritje ekonomike në Serbi për vitin 2021


Banka Botërore (BB) ka njoftuar në raportin e janarit 2021, Prospekti Ekonomik Global, se ekonomia e Serbisë pritet të rritet me 3.1% në vitin 2021.

Gjatë vitit 2020, Serbia ka pësuar rënie me 2% përkundrejt një parashikimi prej 2.5% të bërë në qershor.

Pandemia Covid-19, masat e kufizuara dhe paketat stimuluese prej 13% të Prodhimit të Brëndshëm Bruto (PBB), i kanë dhënë një goditje të rëndë ekonomisë serbe, duke sjellë një rënie të PBB-ës reale prej 3% në 2020-ën.

Serbia përdori pjesën më të madhe të hapësirës fiskale të disponueshme gjatë pandemisë, duke i sjellë vendit një tkurrje ekonomike prej 6.4 % në tremujorin e dytë të vitit 2020. Kjo tkurrje ishte më e ulët sesa në vendet fqinje, por solli një rritje të papunësisë dhe varfërisë.

Banka Botërore parashikon një rritje prej 3.4% të ekonomisë së Serbisë në vitin 2022.

“Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të rikthehet në 3.5% në 2021-shin. Gjithashtu pritet që dhe besimi i biznesit të rikthehen ndërsa përhapja e pandemisë dhe paqëndrueshmëria politike të vihet në kontroll”, shkruan BB-ja.

Rënia e prodhimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor vlerësohet në 4.5% në vitin 2020. Rajoni pritet të ketë rritje ekonomike prej 3.7% në 2022.

Ndërkohë që ekonomia po përjeton një recesion dhe borxhi publik rritet ndjeshëm, po kufizohet hapësira fiskale për të stimuluar rimëkëmbjen e vendit, duke kërkuar reforma të mëtejshme për një ekonomi të qëndrueshme./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore