Financa

Banka Botërore, jo ndihmë El Salvadorit për implementimin e Bitcoin-it


Banka Botërore ka refuzuar kërkesën nga qeveria e El Salvadorit për të ndihmuar vendin në implementimin e kriptomonedhës Bitcoin, si mjet ligjor në ekonominë e saj kombëtare.

Sipas një raporti të publikuar nga agjencia mediatike “Reuters” të mërkurën, banka, e cila është një institucion financiar ndërkombëtar që ofron grante dhe hua për vendet me të ardhura të ulëta, njoftoi se ishte “e përkushtuar për të ndihmuar El Salvadorin” për transparencën e monedhës dhe procesin e rregullimit.

“Ndërsa qeveria na kërkoi ndihmë për Bitcoin-in, kjo nuk është diçka që Banka Botërore mund të mbështesë, duke pasur parasysh të metat mjedisore dhe transparencën”, tha një zëdhënës i Bankës Botërore përmes një email-i.

Të mërkurën, ministri i Financave i El Salvadorit, Alejandro Zelaya, tha se vendi i tij i ishte afruar bankës për ndihmë teknike, në mënyrë që të implementonte Bitcoin-in së bashku me dollarin amerikan.

El Salvador njohu zyrtarisht kripton si mjet ligjor në fillim të këtij muaji, kur Presidenti Nayib Bukele propozoi një projektligj që u miratua përfundimisht përmes Parlamentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore