Bota

Bangladeshi dërgon refugjatët Rohingya në Bhasan Char


Bangladeshi do të dërgojë një grup të dytë të refugjatëve Rohingya në një ishull në Gjirin e Bengalit, pavarësisht thirrjeve nga grupet e të drejtave të njeriut për të ndaluar zhvendosjen drejt një terreni jo të sigurtë.

Më shumë se 1 mijë e 100 refugjatë Rohingya, anëtarë të një pakice myslimane që janë larguar nga Myanmar, do të zhvendosen nga një kamp refugjatësh pranë kufirit me Myanmar në ishullin Bhasan Char.

Autoritetet zyrtare lëvizën grupin e parë prej më shumë se 1 mijë e 600 refugjatësh në fillim të këtij muaji.

Agjencitë humanitare dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar zhvendosjen, duke marrë në konsideratë rrezikun që ishulli ka nga përmbytjet, ciklonet e shpeshta dhe mundësia për tu zhytur plotësisht gjatë një batice.

Më shumë se 730 mijë refugjatë Rohingya u larguan nga Myanmar në 2017 pas një sulmi ushtarak.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i këtij sulmi ishte genocidi mbi popullsinë.

Myanmar-i zyrtar ka mohuar akuzat për genocid dhe ka deklaruar se forcat ushtarake kishin në shënjestër militantët Rohingya, të cilët sulmuan rajonet e policisë.

Përpjekjet për të filluar një proces riatdhesimi të refugjatëve Rohingya në Myanmar kanë dështuar sepse refugjatët refuzuan të ktheheshin, duke pasur frikë nga ushtrimi i dhunës.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk është lejuar të kryhet një vlerësim për sigurinë në Bhasan Char si dhe nuk ka pasur përfshirje të organizatës në transferimin e refugjatëve./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore