Lajme

Balonë spiune, UFO apo Dragon Ball? Në Japoni mbesin të hutuar nga topi që zbuloi zbatica


Policë, hetues dhe zyrtarë të tjerë japonezë, përshirë edhe banorë lokalë të një qytet bregdetar japonez kanë mbetur me shumë pikëpyetje nga një top i madh hekuri që në mënyrë misterioze u shfaq në një plazh lokal.

Autoritetet japoneze e pranojnë që nuk e kanë idenë se çfarë është –  vetëm se kanë njoftuar që nuk duket të jetë diçka me kapacitet shpërthyes.

Sfera, me përmasa rreth 1.5 metra në diametër, ka qenë në qendër të spekulimeve që kur u shfaq në plazhin Enshu në qytetin Hamamatsu në brigjet e Paqësorit, raportojnë mediat lokale.

Frika se mund të ishte ndonjë thesar i humbur u hodh poshtë pasi ekspertët përdorën teknologjinë e rrezeve X për të ekzaminuar brendësinë e objektit dhe zbuluan se ai është i zbrazët.

Nuk ka as indikacione se është mjet spiunazhi nga Koreja e Veriut apo Kina e afërt.

Policia filloi të inspektojë topin, i cili ka ngjyrë portokalli-kafe me disa njolla më të errëta ndryshku.

Fillimisht topi misterioz u pikas nga një banore, e cila e vuri re të mbështetur në rërë vetëm disa metra larg bregut, raportoi media japoneze Asahi TV.

Oficerët rrethuan zonën dhe më pas thirrën ekspertët e eksplozivëve, por raportet thonë se autoritetet ende s’e kanë zbuluar çfarë saktësisht është kjo sferë.

Fotografitë u janë dërguar forcave japoneze të vetëmbrojtjes dhe rojës bregdetare për ekzaminim të mëtejshëm.

Një vendas që vrapon rregullisht në plazh tha se nuk e kuptonte pse topi befas u bë qendër e vëmendjes.

Ai tregoi se edhe vetë e kishte parë, madje provuar ta lëvizte këtë top.

“U përpoqa ta shtyja, por nuk lëvizte”, tha ai, raporton The Guardian.

Në një moment, policia bllokoi një rreze prej 200 metrash rreth topit, ndërsa ekspertët u përpoqën, pa sukses, për të zgjidhur misterin.

Kishte sugjerime se i ngjante diçkaje nga seriali i njohur Dragon Ball, ndërsa të tjerë besonin se ishte një UFO (Objekt i Panjohur Flutures) që kishte rënë nga qielli.

Pamjet televizive të objektit nxitën spekulime në mediat sociale, pasi ato erdhën në kohën kur shteti japonez pati njoftuar se “dyshonte fuqishëm” që disa balona spiunazhi kinez ishin pikasur mbi territorin e saj vitet e fundit.

Prania e dy dorezave të ngritura në sipërfaqen e sferës – që tregon se ajo mund të lidhet me diçka tjetër – nxiti një shpjegim më të zakonshëm: se është thjesht një spirale ankorimi që thjesht ishte shkëputur nga ndonjë anie dhe ka mbetur e lirë, derisa valët e sollën në sipërfaqe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore