Shqipëria

Balluku: Shqipëria do të bëhet eksportuese neto e energjisë në 2029


4 TW (TeraWatt) shtesë në 2029 do e kthejnë Shqipërinë në eksportues neto të energjisë dhe padyshim një pikë reference dhe qendër energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Kështu deklaroi zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë paraqitjes së objektivave për vitin 2023.

Zyrtarja shqiptare theksoi se autoritetet ia kanë dalë që të qëndrojnë në parashikimet e tyre, lidhur me skenarët për mbështetje buxhetore nga buxheti i shtetit.

“Ia kemi dalë që mbi të gjitha, të mbrojmë 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë, kemi mbrojtur 172  mijë biznese të vogla dhe 7 mijë e 500 biznese të lidhura në tensionin e mesmë”, shtoi Balluku.

Numri dy i Qeverisë tha se kaluan tre vite thatësirë në krahasim me 10 vitet e fundit.

“Edhe pse ka pasur çmime rekord, si 31 gushti që arriti në 1 mijë e 44 euro për MWh. Por me punën e mirë që u bë me kaskadën e Drinit dhe duke optimizuar rezervën energjitike dhe depozitimin e energjisë, ja kemi dalë që të mbronim qytetarët”, garantoi zyrtarja.

Sipas Ballukut, gjatë vitit 2022, përmes një retorike të madhe u bë një sensibilizim te qytetarët për të kursyer energjinë.

“Në tetor arritëm 20 për qind të uljes së konsumit. Një nismë modeste. Kemi subvencionuar familjet që kanë vendosur panele diellore, 2 mijë familjet e para. Gjatë 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të shkojë në 20 mijë. Apo 8 milionë euro subvencionim nga qeveria. Do të gjejmë artifica të tjera për të mbështetur familjet”, vërejti në vijim ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore