Shqipëria

Balluku inspekton punimet për ujësjellësin e ri të Sarandës


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të mërkurën e 22 qershorit ka inspektuar punimet që po bëhen për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Sarandë, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm lagjen “Baba Rexhepi” dhe Logu i Dardhës.

I pranishëm ishte edhe drejtor i Agjencisë Kombëtare te Ujësjellës -Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Klevis Jahja.

Këto zona informale, sipas Ballukut kanë mungesë të theksuar të furnizimit – një problematikë e mbartur ndër vite – ndërsa përmes këtij investimi synohet t’i jepet zgjidhje kësaj situate duke e përmirësuar ndjeshëm.

Nga ana tjetër Jahja sqaroi se ka përfunduar puna për rehabilitimin e depos me një kapacitet prej 2 mijë metër kub, ndërsa po punohet për rrjetin e transmetimit dhe më pas atë të shpërndarjes.

Gjithashtu drejtori i AKUM bëri me dije se ky investim do të ndikojë jo vetëm në zonën në fjalë, por do të bëj të mundur gjithashtu rritjen e kapaciteteve për furnizimin me ujë për pjesën tjetër të qytetit.

Balluku u shpreh se investimi në rrjetin e ujësjellësit do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të gjithë kësaj zone duke shtuar se kjo ndërhyrje që po kryhet jo vetëm do t’ju ofroj banorëve një shërbim jetik, por do të përmirësojë edhe situatën financiare të shoqërisë së ujësjellësit pasi do të shoqërohet me rritje të numrit të abonentëve.

Aj u ndal edhe tek reforma që do të ndërmerret në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve e cila do të reduktojë numrin e shoqërive duke i bërë ato më efikase.

Ndërkaq Ministrja kërkoi bashkëpunimin e pushtetit vendor, por edhe drejtuesve të drejtorive të ujësjellësit, në mënyrë që ky proces të jetë sa më i suksesshëm.

Sipas saj harmonizimi i investimeve është i rëndësishëm në këtë sektor pasi ndër vite këto kanë qenë të copëzuar dhe jo të plota.

Në përfundim të fjalës së saj Balluku duke iu referuar investimeve në zonën e Sarandës, përmendi edhe përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës në rrugën e pikës kufitare të Qafë Botës do të rrisin akoma edhe më shumë fluksin e vizitorëve duke nisur që ka ky sezon turistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore