Shqipëria

Balluku inspekton punimet për tunelin e Llogarasë


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mesditën e 25 janarit ka inspektuar nga afër punimet në kantierin e tunelit të Llogarasë.

Së bashku me të i pranishëm ishte dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi.

Balluku bëri me dije se pas afro dy muajsh që prej fillimit të punimeve deri më tani jaë kryer 5% e punimeve, që ka nisur me devijimin e rrugës nacionale.

“Jemi në një pikë shumë të rëndësishme, ku do të bëhet bashkimi i rrugës Orikum-Dukat me pjesën e lidhjes së hyrjes së tunelit”, vijoi Balluku në fjalën e saj.

Më tej ajo theksoi se, “gjatë sezonit të verës do të kemi një byppass të vogël të kësaj rruge”.

Sipas saj kjo është një ditë e shënuar, pasi pajisjet dhe makineritë e kompanisë turke janë të gjitha në punë.

“Tashmë kemi një formacionin që punimet mund të ecin shumë përpara”, e përmbylli Ministrja fjalën e saj.

Mëngjesin e 14 nëntorit ka nisur puna për ndërtimin e “Tunelit të Llogarasë”. Të pranishëm për të parë nga afër çeljen e punimeve ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Balluku.

Si Kryeministri ashtu dhe Ministrja e kanë cilësuar si një vepër madhore, e cila do të ngrejë në një nivel tjetër rrjetin infrastrukturor të Shqipërisë.

Projekti i Tunelit të Llogarasë

Ky tunel do të ketë gjatësi prej 5.9 kilometrash dhe do ta shkurtojë kohën e udhëtimin nga 55 minuta në 10, e cila lidh mespërmes gjithë Qafën e Llogarasë. Ai nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.

Një konsorcium turk, i përbërë nga dy kompani, Intekar Yapi dhe ASL, kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tunelit, me vlerë 17 miliardë lekë (138.9 milionë euro).

Ky do të jetë edhe projekti i parë, që ky konsorcium ka marrë përsipër të ndërtojë në Shqipëri. Sfida ndërkaq, nuk është e thjeshtë, me një vepër madhore në infrastrukturë, e cila pritet të ketë afat 36-mujor për përfundimin e punimeve.

Sipas të dhënave publike të Intekar Yapi dhe ASL, konsorciumi privat ka 600 persona të punësuar. Shoqëria, me përgjegjësi të kufizuar, është themeluar në vitin 1989.

Ajo vepron ekskluzivisht në fushën e infrastrukturës.

Ndër më kryesoret, janë ndërtimi i rrugëve, punimet tokësore, struktura inxhinierie, si ura, tunele e diga dhe rrjete të kanalizimeve ujore.

Pavarësisht faktit se kjo do të jetë vepra e parë që shoqëria do të ndërtojë në Shqipëri, ajo është e njohur për vepra madhore në Turqi, në kryeqytetin Ankara dhe në qytete të tjera si Izmiri apo Stambolli.

Me projektin tërësisht në vijë, e vetmja gjë që pritet tashmë është mbarimi i punimeve pas 33 muajve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore