Shqipëria

Balluku inspekton punimet në aksin Orikum-Dukat: Brenda tre vitesh përfundon gjerdani infrastrukturor i Jugut


“Punimet në aksin Orikum-Dukat kanë arritur në 24% të volumit të tyre. Synojmë përfundimin e gjerdanit infrastrukturor të Jugut brenda tre vitesh”.

Kështu është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pas inspektimit të këtij aksi rrugor.

“Me përfundimin e plotë të punimeve për bypass-in e Vlorës, ndërtimin e aksit Orikum-Dukat dhe tunelit të Llogarasë, plotësohet i gjithë gjerdani infrastrukturor, i cili nis nga bypass-i i Fierit dhe përfundon në dalje të tunelit të Llogarasë”, theksoi Balluku në fjalën e saj.

Më tej ajo bëri me dije se sipas projektit, ky aks rrugor do të jetë “i kategorisë C”.

“Ky aks do t’u japë zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës”.

Ministrja shtoi se i gjithë segmenti ka një gjatësi prej 14.7 kilometra. Po ashtu, ajo tha se në projektin e këtij aksi janë parashikuar edhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat, përmes ngritjes së mureve mbajtës dhe pritës.

Më 14 nëntor kanë nisur punimet për ndërtimin e “Tunelit të Llogarasë”. Ndërsa puna për bypass-in e Vlorës vijon. Deri më tani përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor janë ndërtuar 15 kryqëzime dhe pesë ura kryesore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore