Shqipëria

Balluku: Asnjë rrugë e bllokuar, furnizimi me energji problematik


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se, “asnjë rrugë në Shqipëri nuk është e bllokuar për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të borës”.

“Dy akset e bllokuara ditën e dielë, janë rihapur”, deklaroi ministrja. “Kanë qenë 480 mjete të angazhuara në gjithë territorin. Skuadrat e mirëmbajtjes të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kanë hapur çdo aks në rang kombëtar”.

Balluku vuri theksin në faktin se “autobusët e bllokuar në kufi, janë lejuar të kalojnë mëngjesin e 15 shkurtit. “Ka pasur përkujdesje për të gjithë pasagjerët”, shtoi ministrja. “Autoritetet janë kujdesur për çdo person që ka qenë i bllokuar në udhëtim”.

Sipas saj, 37 kontratat e mirëmbajtjes së rrugëve, “kanë funksionuar më së miri”.

Përsa i përket energjisë, Balluku ka cilësuar se ka pasur probleme, pasi 60 mijë abonentë kanë mbetur pa furnizim. Gjatë 14 shkurtit është punuar dhe është risjellë energjia për gjysmën e tyre. Ndërkohë për të tjerët, po punohet.

Nuk është kursyer as një replikë për akuzat që opozita ka ngritur, mbi keq menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës.

“Qeveria e ka treguar më së miri si e ka menaxhuar situatën. Gjithçka ka funksionuar në perfeksion. Kërkojnë të ketë më shumë borëpastruese për një shtet ku bie borë një herë në vit. Ndërkohë, stuhi të tilla bien një herë në 50 vite”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore