Shqipëria

Balluku: 9 kompani lider në botë, gati për ndërtimin e parqeve eolike në Shqipëri


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ditën e tretë të Konferencësë së parë Kombëtare Antikorrupsion, bëri të ditur se janë nëntë kompani ndërkombëtare të cilat kanë shprehur interes sa i takon ndërtimit të parqeve eolike, me një kapacitet prej 100 megavatësh.

Balluku gjatë fjalës së saj u shpreh se interesin për ndërtimin e parqeve eolike në Shqipëri e kanë shfaqur edhe kompanive më të njohura evropiane në këtë sektor. Ajo përmendi kompaninë austriake “Verbundi” austriak dhe atë franceze “Total”.

“Më 9 qershor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me prezencën e BERZH-it, kanë hapur fazën e parë të shprehjes së interesit për sa i përket ankandit për ndërtimin e parqeve 100 megavat në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Balluku.

Ajo e ka cilësuar këtë si një dëshmi të garës së hapur që tashmë qeveria shqiptare po zhvillon dhe që po tërheq gjithmonë e më shumë kompanitë e huaja.

Ministrja Balluku shtoi se ky ankand vjen pas dy të tillave të zhvilluara për dy parqet fotovoltaike, Karavasta dhe Spitallë, të cilat u fituan nga kompania e njohur franceze, Voltalia.

“Këto janë hapat që ne kemi hedhur dhe nëse merren masa konkrete, nëse punohet ashtu siç duhet padyshim Shqipëria mund të bëhet një vend udhëheqës për sa i përket të gjithë iniciativave ekonomike të rajonit, por nga ana tjetër mund të bëhet një vend evropian në të gjitha nivelet dhe strukturat administrative”, vijoi Balluku.

Kjo e fundit e mbylli fjalën e saj me një mesazh se Shqipëria ka bërë hapa para duke ndërmarrë një sërë reformash të cilat po e kthejnë në një vend atraktiv për investitorët.

Kujtojmë që Shqipëria është renditur e katërta për prodhimin e energjisë së gjelbër në Evropë. Kjo është vërejtur nga statistikat e EUROSTAT për vitin 2020.

Projektet për prodhimin e energjisë së gjelbër në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka shprehur përkushtimin e saj për ta vendosur vendin në një rrugë konsistente drejt synimin të energjisë së rinovueshme dhe nxitjen e veprimeve ambicioze për ndryshimin e klimës, duke maksimizuar përfitimet dhe minimizuar kostot për konsumatorët dhe taksapaguesit.

Pikërisht për këtë qëllim, më 22 qershor të 2021-shit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi dhe procesin e tenderimit me dy faza për përzgjedhjen e prodhimit të energjisë nëpërmjet erës.

Sakaq vlen të theksohet se Shqipëria ka parë progres në procedurën e licencimit për instalimin e gjashtë termocentraleve të mëdhenj dhe dhjetë të vegjël diellorë.

Premtimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që në krye të herës ka qenë se, “deri në vitin 2030, vendi do të bëhet kampione rajonale në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme”.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të ‘Shqipërisë 2030’”, do të deklaronte kryeministri gjatë ceremonisë së hapjes së ankandit për ngritjen e parqeve eolike.

Ky ka qenë një nga premtimet e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore