Përballje

Ballkani mposhtet nga Slavia Praga dhe eliminohet nga Liga e Konferencës


Ballkani është mposhtur me rezultat minimal 0:1 nga Slavia Praga, në ndeshjen e xhiros së pestë të grupeve në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por nuk arriti të marrë pikë në “Fadil Vokrri”.

Pjesa e parë nuk dhuroi gola, derisa rastin më të mirë e pati Ermal Krasniqi krejt në fund, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën.

Edhe në pjesën e dytë, djemtë e Ilir Dajës patën paraqitje të mirë, por golin nuk arritën ta gjejnë.

Dhe, në minutën e 75-të, mysafirët gjetën golin e epërsisë, kur Ondrej Lingr shënoi pas një asistimi të marrë nga David Jurasek.

Minutat shtesë të ndeshjes, Ballkani ka mundur fare lehtë ta barazonte rezultatin, por portieri i Slavia-s priti për mrekulli fillimisht goditjen e Albin Berishës, pastaj pak sekonda më vonë, ndali edhe atë të kapitenit Edvin Kuc.

Ballkani në fund del i mposhtur nga çekët, derisa tani nuk ka gjasa për ta kaluar grupin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore