Përballje

Ballkani mposhtet nga Cluj dhe përfundon aventurën evropiane


Ballkani e ka përfunduar aventurën në Ligën e Konferencës.

Në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ekipi i Ilir Dajës u mposht me rezultat minimal 1:0 në udhëtim te ekipi rumun, Cluj.

Në përgjithësi, Ballkani ishte më e mirë në këtë ndeshje, duke dominuar me mbajtje të topit dhe me disa raste të mira për gol.

Por, pikët e plota i morën rumunët, të cilët falë këtij suksesi siguruan vendin e dytë në grup dhe kualifikimin tutje.

Goli i vetëm i kësaj ndeshje u shënua në minutën e 17-të me anë të Nana Boateng.

Vendasit patën edhe një mundësi të artë për ta dyfishuar epërsinë në pjesën e parë, por portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, u tregua fantastik.

Fillimisht Frashëri e priti penalltinë e Ciprian Deac, por gjyqtari urdhëroi që të përsëritej gjuajtja, pasi portieri i Ballkanit kishte dalë para kohe nga porta.

Por, edhe të dytën herë rumuni nuk arriti ta mposhte Frashërin, ku ki u fundit e ndali përsëri.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të Cluj, derisa në të dytën ishte përsëri Ballkani që dominoi në fushë.

Megjithatë, kampioni i Kosovës nuk arriti ta evitojë humbjen në këtë takim, duke përfunduar në vendin e fundit në grup me katër pikë të grumbulluara.

Pavarësisht eliminimit, Ballkani ka bërë paraqitje shumë të mira në këtë aventurë evropiane, ku në gjashtë ndeshje ka marrë një fitore dhe një barazim, duke shënuar tetë gola dhe duke pësuar 11.

Nga ky grup, Sivasspor zë vendin e parë (e ka mposhtur Ballkani në udhëtim) Cluj mban të dytin, derisa çuditërisht Slavia Praga eliminohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore