Shqipëria

Ballkani, korridori evropian i SHBA-së


Shqiptarër e Kosovës në fshatin Bibaj, mbajnë në duar fotografi të Joe Biden me mbishkrimin "Faleminderit"

Ardhja e Joe Biden-it në krye të presidencës amerikane, ngre pyetjen nëse SHBA-ja do të mund të rikthejë në Evropë ndikimin e saj. Ish shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i përkeqësoi marrëdhëniet me homologët e tij evropianë. Gjendemi ndërkohë, në një kontinent të vjetër çdo ditë e me më shumë nacionalist, autoritarist dhe anti-NATO, me kampet e ekstremeve që po rriten.

Por, a është shumë vonë për Biden-in të vendosë një rol influencues në Evropë?

Në fjalimin e inaugurimit, presidenti i ri i SHBA-së shfrytëzoi vetëm një minutë për të folur për politikën e jashtme. Kjo gjithsesi, nuk do të thotë se Amerika nuk do të përqendrohet tek politika e jashtme. Përkundrazi!

Me ardhjen e Antony Blinken në krye të diplomacisë amerikane, qasja pro-evropiane po merr formë. Ish diplomati amerikan, Richard Holbrooke, citon se “SHBA-ja është një fuqi në Evropë”. Në fakt, ka qenë e tillë që prej vitit 1945.

Por, pavarësisht këtij fakti, gjendemi në një Evropë post-Brexit, me Rusinë dhe Kinën gati të depërtojnë në politikat e kontinentit të vjetër. SHBA-ja, sigurisht që do të përpiqet të rivendosë rrënjët e saja stabilizuese aty.

Por, nga kalon rifutja e Amerikës në Evropë?

Ka një rajon të vetëm ku SHBA-ja influencon fuqishëm me politikat e saj të jashtme. Ai rajon, është Ballkani. Mjafton të kujtohet avokatia që presidenti aktual, Joe Biden, i ka bërë çështjeve të Bosnies dhe Kosovës. Kryesisht nën administratën Clinton, zëri amerikan ka qenë i fuqishëm në Ballkan.

Për boshnjakët dhe shqiptarët, emri i Biden-it atashohet me gjithçka të mirë Amerika përfaqëson. Ka dy lëvizje të mëdha, që SHBA-ja do të implementojë në Ballkan. Integrimi i plotë i vendeve në NATO dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian.

Stabiliteti i Ballkanit vetë në fakt, kalon nga anëtarësimi në NATO. Nuk ka asnjë precedent të dy vendeve anëtare të organizatës, të cilat janë konfliktuar. Për shkak të kësaj, duhet menduar seriozisht t’i hapen dyert Bosnies dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës, për anëtarësim në BE. Pikërisht këtë gjë po e bën SHBA-ja.

Njohja e Kosovës është çështja tjetër e madhe për SHBA-në. Serbia po lëviz përpara me anëtarësimin në BE. Çështja e Kosovës gjithsesi, e pengon në këtë rrugëtim. Nëse anëtarësohet, Serbia mundet edhe të vendosë veton e saj për mos pranimin e Kosovës në union në të ardhmen.

Ka precedentë të mëparshëm për këtë gjë. Kroacia ka bllokuar anëtarësinë e Serbisë, pasi u bë vetë pjesë e BE-së. Të njëjtën gjë, ka bërë edhe Bullgaria me Maqedoninë e Veriut. SHBA-ja mund të bëjë të mundur që situata të tilla të mos ndodhin, duke krijuar stabilitet jo vetëm brenda Ballkanit tashmë, por edhe brenda BE-së.

Stabiliteti ballkanik, rruga e SHBA-së drejt Evropës

Falë ndikimit që SHBA-ja ka në Ballkanin perëndimor, vendet e gadishullit mund të jenë më bashkëpunuese për të ulur konfliktet. Rrjedhimisht, kjo do të sillte një rrugë më të thjeshtë përsa i përket anëtarësimeve në NATO apo BE.

Nëse në vetvete arrihet integrimi i këtyre vendeve në union, atëherë është e kuptueshme që Evropa do të paraqesë një situatë më të stabilizuar, duke krijuar kështu imazhin e një Amerike unifikuese për Evropën. Kjo, edhe falë forcimit të ekonomive të këtyre vendeve.

SHBA-ja do krijonte një precedent të imazhit të mirë përbashkues, duke risjellë në Evropë influencën e saj. Në fund, do të kishim imazhin e një Evrope unifikisht të influencuar nga Amerika. Pra, Ballkani, do ishte korridori evropian i SHBA-së.

Artikulli origjinal është publikuar në Haaretz, me autor Hamza Karcic/Përshtatur nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore