Lajme

Ballkani dhe hezitimi për t’u vaksinuar


Në rajonin lindor të kontinentit evropian ekziston një hezitim i ballkanasve lidhur me vaksinimin dhe masat e reja anti-COVID.

Me rastet e reja dhe vdekjet në nivelet më të larta në Bashkimin Evropian, më 20 tetor presidenti i Rumanisë dekretoi masa të reja të rrepta.

Kërkohen çertifikatat e vaksinimit për hyrje në shumicën e aktiviteteve, maskat e detyrueshme në rrugë dhe vetëm njerëzit e vaksinuar do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre në orët e mbrëmjes.

Shifrat flasin se vetëm një në 10 veta ka marrë dy dozat e vaksinës. Skepticizmi lidhur me vaksinimin mbetet i përhapur në Rumani.

Në të gjithë Evropën Juglindore, inokulimi i vaksinave është i ulët dhe dyshimi tek autoritetet është i lartë.

Në Serbi, 43.58 për qind, sipas Our World in Data, janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19.

Në Bosnjë e Hercegovinë vetëm 15 për qind.

Që nga tetori 2021, Bullgaria dhe Rumania kanë mbetur prapa për sa i përket administrimit të dozave të para dhe të dyta.

Të dyja vendet janë në fund të renditjes së BE-së për përqindjen e popullsisë së imunizuar, deri tani rreth 30%.

Rrënjët historike të problemit

Për analistët, të dyja vendet kanë përjetuar periudha sovraniteti të kompromentuara.

Kjo gjë, sipas tyre, ka luajtur rol në nxitjen e një mosbesimi të thellë ndaj shtetit.

Në vitin 2016, Rumania ishte dukshëm nën objektivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në lidhje me shkallën e vaksinimit për fruthin.

Ndërkohë, nivelet e besueshmërisë te mjekësia në Bullgari janë vazhdimisht mjaft të ulëta.

Nga pikëpamja psikologjike, siç theksohet nga shkencëtari politik Ivan Krastev, aftësia e Bullgarisë dhe Rumanisë për të dalë relativisht të padëmtuara nga vala e parë në pranverën e vitit 2020 u kthye në një realitet tronditës.

Për më tepër, në rastin e dy vendeve ballkanike, disa nga shqetësimet rreth virusit janë duke u zvetënuar pasi shumica e qytetarëve e kalojnë pa simptoma ose shumë lehtë.

Një aspekt tjetër i përmendur më rrallë që mund të pengojë përpjekjet e vaksinimit, ka të bëjë me pasigurinë politike dhe efektet e një kulture proteste që po shfaqet me shpejtësi.

Kjo e fundit, sipas analistëve, shihet si tipar i peizazheve politike të Bullgarisë dhe Rumanisë që nga fillimi i viteve 2010.

Protestë dhe vetëm protestë

Gjatë pandemisë së COVID-19, Rumania është përballur me lockdown-in politik dhe ka gjeneruar protesta të shumta kundër kufizimeve.

Pas një fillimi premtues të fushatës së vaksinimit në vend, shkalla e vaksinimit u ngadalësua ndjeshëm gjatë verës.

Në dhjetë vitet e fundit, Bullgaria ka parë gjithashtu një rritje të aktivizmit qytetar, me vendin që po përjeton dy valë të mëdha protestash (në 2013-14 dhe 2020).

Pas verës së vitit 2021, vendi pati një përhapje të protestave kundër masave të kontrollit të pandemisë.

Këtë e dëshmoi djegia e maskave të fytyrës gjatë disa demonstratave.

Në pranverën e vitit 2020 pati një shkallë të lartë mbështetjeje për lockdown-in e parë në Bullgari.

“Njerëzit nuk i besojnë më shtetit që të veprojë në interes të së mirës së përbashkët”, vëren profesori Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it, në Austri.

Sipas Bieber, qytetarët nuk u besojnë mesazheve që vijnë nga shteti apo edhe nga ekspertët. “Ata besojnë se të gjitha këto janë të nxitura nga interesa egoiste”.

Serbia vendosi masa të forta gjatë muajve të parë të pandemisë, duke përfshirë shtetrrethimin për fundjavat që zgjasnin nga mbrëmja e së premtes deri në mëngjesin e së hënës.

“Arbitrariteti, me të cilin disa qeveri përdorën këto masa për të heshtur kritikët dhe kundërshtarët e tyre, është tipari më shqetësues i trendit”, shkruajnë Beata Huszka dhe Tania Lessenska në një përmbledhje të politikave të Ballkanit Perëndimor për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Teoritë e konspiracionit gjejnë terren pjellor 

Përballë një reagimi zyrtar kaotik ose indiferent, mund të preferohet të besohet se dikush, diku, ka një plan keqdashës.

Në Shqipërinë dhe Jugosllavinë e para vitit 1989, qeveritë promovonin idenë e rrethimit nga forcat armiqësore që mund të sulmonin në çdo kohë.

Kampioni i tenisit Novak Djokovic është një hero për shumë serb. Ai nuk është shfaqur haptazi si një anti-vaxer, por ka deklaruar se më mirë do të humbiste Australian Open në muajin janar, sesa të zbulonte statusin e tij të vaksinimit.

Djokoviç pajtohet me grupe të tjera besimesh që i qëndrojnë mjekësisë alternative.

Ky mosbesim ndaj këshillave zyrtare mjekësore i paraprin pandemisë.

Nga viti 2017-18, një shpërthim i fruthit përfshiu rajonin.

Në Serbi, ku ka një grupim të theksuar anti-vax, vdiqën 14 persona.

Shkalla e infeksionit për frymë ishte më e larta në Evropë, me më shumë se 600 raste për 1 milion banor.

Në Bosnjë dhe Hervegovinë, një kontratë shumëmilionëshe për ventilatorë shkoi te pronarët e një ferme mjedrash, edhe pse prodhuesit paralajmëruan se pajisjet nuk ishin të përshtatshme për pacientët me sëmundje kritike.

Në Evropën Juglindore, pandemia ka shfaqur hendekun e mosbesimit që ndan qeveritë nga populli dhe vaksinat nga qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore