Shqipëria

Ballkani bashkë, por “i thyer”, në prag të samitit të Tiranës


Nuk bie gjithnjë rasti të shihet një samit si ai mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian, të zhvillohet në gadishullin juglindor të kontinentit të vjetër, por rasti do të jetë pikërisht ky këtë herë dhe epiqendra, është Tirana.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, e dha vetë lajmin për këtë vendim nga komuniteti evropian, duke shtjelluar se më 6 dhjetor 2022, samiti mblidhet në kryeqytetin shqiptar dhe ku etiketoi edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili tashmë do të jetë mikpritës i takimit.

Pikëzimet kryesore të këtij samiti, qëndrojnë pikërisht në përafrimin e rajonit me bashkësinë evropiane në aspektin politik dhe atë konkret, për të përgatitur terrenin drejt integrimit me të drejta të plota të gjashtë vendeve në Bashkimin Evropian.

Por, megjithëse bashkë, nuk ka një specifikë të njëjtë për të gjitha anëtaret e grupimit rajonal, të cilët thelbësisht dallojnë në zhvillime të brendshme apo ndërkombëtare politike dhe si të tilla, bashkë vijnë në Tiranë, por të “thyera”.

Mikpritësja, Shqipëria, është në mënyrë të posaçme ndjeshëm e veçuar nga pesë vendet e tjera dhe reflektimi se pse ajo është mikpritësja e liderëve perëndimorë dhe ballkanikë, mund të lidhet edhe me faktin e stabilitetit që ka treguar në vitet e fundit.

Në aspektin rajonal, vendi është faktor i padiskutueshëm stabiliteti.

Së fundmi, në korrik, ka arritur të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Prej janarit 2022 është pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si përfaqësuese e gjithë rajonit.

Atashimin me perëndimin, e ka radikalisht të palëkundur në ndjekjen e politikave të saj të jashtme dhe këtë e dëshmon me rreshtimin e gjithmonshëm pro-evropian dhe amerikan, mbi të gjitha çështjet, e specifikisht atë të luftës në Ukrainë, e cila në vetvete vjen si dinamikë e shtuar dhe karakterizuese e rajonit, në samit.

Përtej gjithë këtyre, në politikën e brendshme, sërish Shqipëria është vendi më “stabël”, nëse kështu mund të quhet, ku nuk janë dëshmuar as zgjedhje të parakohshme e as destabilizime thelbësore, përtej një opozitarizmi të cunguar.

Maqedonia e Veriut

Një tjetër vend, i cili përfitoi nga hapja e negociatave gjatë këtij viti, ishte edhe Maqedonia e Veriut.

Por, problemet e vazhdueshme me Bullgarinë, e kanë bërë Shkupin të krijojë si destabilitet të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.

Prej thuajse dy vjetësh, një ngërç me Sofjen për çështjen e identitetit kombëtar maqedonas, kishte bërë që qeveria bullgare të vendoste veton mbi hapjen e negociatave. Kjo e penalizoi për një kohë edhe Tiranën.

Ndërkaq, në luftën e brendshme politike, ashpërsi ka pasur mes opozitarëve të VRMO-DPMNE-së dhe Qeverisë, tashmë të drejtuar nga Dimitar Kovaçevski, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit, vetëm për hir të zgjidhjes së ngërçit bullgar.

Opozita është “betuar” se ndryshimet kushtetuese nuk do t’i votojë, të cilat lidhen me “aktin e paqes” me Bullgarinë. Por, presioni ndërkombëtar është i madh.

Dimitar Kovaçevski – Abc News

Kosova

Prishtinës, ende i rëndon mbi supe një vendim (mungesë vendimi) për liberalizimin e vizave.

E fundit që e kushtëzoi gjithë procesin, ishte pikërisht Franca, duke vendosur si parakusht implementimin e sistemit ETIAS (sistem formulari elektronik për udhëtimet nga jashtë BE-së, brenda saj), për hapjen e vizave.

Disa shtete të tjera e mbështetën gjithashtu propozimin francez dhe ai u miratua, duke i lënë një pjesë të shtetasve të Kosovës, ende pa mundësinë e lëvizjes së lirë.

Por, ajo çfarë më shumë e shqetëson Prishtinën, është dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me të.

Një propozim franko-gjerman është zyrtarisht tashmë në tryezë dhe po duket si një vijë finishi për procesin disa-vjeçar, që pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë.

Me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet dhe me kryeministër Albin Kurtin, shpresat ishin të mëdha se bisedimet mes vendeve mund të lëviznin më shpejt.

Por, këto pritshmëri nga qytetarët e Kosovës, ndeshën një mur diplomatik, duke kuptuar se dialogu nuk është çështje imponimi, por ofrimi kapacitetesh dhe disponueshmërie për bisedime.

Megjithatë, ashtu si edhe Albanian Post ka raportuar në javët e fundit, një “finish line” brenda muajit shkurt është targeti që Evropa dhe SHBA-të kanë vendosur për themelet kryesore të marrëveshjes.

Nga kahu tjetër, qëndron Beogradi (i sapo riformatuar).

Kosovo Prime Minister Albin Kurti Donates 50% of Salary to Coronavirus Efforts - Exit - Explaining Albania

Serbia

Me sy nga Evropa, por me duar nga Rusia.

Kjo është Serbia e sotme dhe ky është pushteti i Beogradit.

Alexander Vuçiçit, nuk i duhen shumë rekomandimet evropiane, sa i duhen takimet me përfaqësues rusë, si ambasadori i Moskës në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i cili përpara formimit të Qeverisë së re serbe, ka kërkuar takim me presidentin serb.

Albanian Post, ka zbuluar se arsyeja e këtij takimi, ka qenë pikërisht propozimi franko-gjerman, i cili duhet të miratohet përpara një-vjetorit të luftës në Ukrainë.

Beogradi në fakt, është kryeqyteti specifik i rajonit, i cili sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, i ka thënë “jo”, duke shmangur ngërçe. Marrëveshje me rëndësi për bashkërendimin e politikave, janë dakordësuar mes dy palëve sllave po ashtu dhe më afër se sot, vendet kanë qenë vetëm kur flitej me terminologji të ish-republikave sovjetike dhe jugosllave.

Një shembull konkret, është edhe rikthimi i Ivica Daçiç, si kryediplomat i Serbisë në tryezat e bisedimeve, gjë që pritet të sjellë ashpërsimin e toneve nga Beogradi në dialogun me Kosovën.

Po aq ashpërsi, mund të sjellë edhe me ndikimin e drejtpërdrejtë që Serbia po ka në rajon karshi dy shteteve fqinje, Bosnjë dhe Hercegovinës e Malit të Zi.

Vuçiç: Serbia nuk ndryshon qëndrim për sanksionet ndaj Rusisë - Euronews Albania

Triada boshnjake

Bosnja e sotme, vetëm e boshnjakëve nuk duket se është.

Zgjedhjet e fundit, panë një konfirmim të thjeshtë e të palëkundur në detyrë të Milorad Dodik, sa i përket presidencës së Republika Srpska.

Kjo votë, u përkthye gjerësisht edhe si një votë pro Vladimir Putinit, i cili në mënyrë të padiskutueshme kërkon ta shohë Republika Srpska-n të bashkuar me territorin e Serbisë dhe Dodik, e ka kthyer në kauzë personale këtë, pavarësisht përcaktimeve që ka marrë si persona non grata nga SHBA-të, me sanksionet shoqëruese.

Ky është tregues i qartë se ai nuk do t’ia dijë për Perëndimin dhe sytë, i ka nga lindja.

Nga ana tjetër, fitorja e reformistëve është një tregues i qartë se populli e kërkon ndryshimin.

Por, përfshirja e ekzagjeruar perëndimore, përmes përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt, mund të ketë qenë fragment negativ në votime.

Megjithatë, në terma të gjerë, vendi është i zhytur në krizë, ku Bosnja shfaqet në fund të listës së vendeve evropiane për papunësinë, pagat mesatare apo njerëzit, të cilët jetojnë poshtë kufirit të varfërisë.

Dayton-i, më shumë se sa e ndreqi çështjen, e ka lënë sot në stanjacion Bosnjën, nëse ka një mundësi reale për shpërthim konflikti në rajon, ajo lidhet vetëm me Bosnjë dhe Hercegovinën.

Milorad Dodik dëshiron që të krijohet një ministri e jashtme e Republikës Srpska

Mali i Zi

Në Podgoricë, sërish situata nuk ka si të ndërlikohet më shumë.

Me ardhjen në pushtet të kryeministrit Dritan Abazoviç, konfliktet e brendshme u ndezën edhe më tej dhe një mocion mosbesimi, e shkarkoi atë nga pozita.

Deri në gjetjen e zëvendësuesit së Abazoviçit, në pritje të një koalicioni të ri qeverisës, ai mbetet në detyrë.

Por, shkëndijat me politikën e vjetër e dekadente të Milo Gjukanoviçit, e ka të pandalshme.

Serbia, edhe aty, përmes politikave që ka ndjekur me kishat serbe dhe me përcaktimin e kurorëzimit të patriarkut të territor malazez, ka shkaktuar destabilitet të mëtejshëm.

Formula është thuajse e njëjtë me politikën që Beogradi ndjek në Kosovë, sa i përket manastireve, si ai i Deçanit.

Si vend i vogël, por i zhvilluar ekonomikisht në rajon (Mali i Zi ka standardin më të lartë të jetesës), rreziku nuk është i papërfillshëm, mbi faktin se si gjithë rrjedha politike do të shkojë.

Tensionohet situata në Malin e Zi/ Abazoviç i përmendi drejtësinë, Gjukanoviç kërcënon me rrëzimin e qeverisë

Në terma më macro, nisma “Open Balkan” po vijon të shtrihet veç mes tre shteteve, me tashmë Podgoricën dhe Sarajevon vëzhguese dhe më pranë bashkimit, por me Prishtinën tërësisht të palëkundur në kundërshtimin e bashkësisë.

Sa i përket Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilat janë bashkëthemeluese të Ballkanit të Hapur, as që e kanë dyshimin se rruga e duhur është kjo dhe ftesat, u kanë shkuar institucioneve jo vetëm të rajonit, por edhe përtej.

Qëllimi? Ai i tregimit se shembulli i hapjes mes vetes, mund të çojë më tej në hapjen e plotë të gjithë rajonit karshi BE-së, me kulmim integrimin.

Por, me një proces të sapo filluar për Tiranën dhe Shkupin, në halt për Podgoricën e Beogradin si edhe të largët për Prishtinën dhe Sarajevon, integrimi i përbashkët njëtrajtshmërisht, është i paimagjinueshëm.

Kështu, Samiti vlen, për situatën e vështirë ku kontinenti ndodhet, me luftën në Ukrainë eminente dhe krizën energjetike të pranishme më shumë se kurrë.

Por, se sa vlen, kjo u takon burokratëve, të shpalosin veprat në Tiranë, e jo thjesht fjalët këtë herë…

Samiti i radhës BE-Ballkan mbahet në Tiranë më 6 dhjetor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore