Shqipëria

Balla propozon kufizimin e shpejtësisë për shoferët e rinj


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka propozuar gjatë ditës sotme projektligjin për ndryshimet në Kodin Rrugor.

Në mbledhjen e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ai tha se është menduar kufizimi i shpejtësisë për shoferët e rinj në tre vitet e para që nga marrja e lejes së drejtimit.

“Mendoj që ndryshime që kanë të bëjnë me kufizime të shpejtësisë të patentuarit për herë të parë janë kufizime që i referohen modelit italian. Një gjë tjetër me rëndësi është se çdo ditë po ulet numri i specialistëve dhe mendoj që spostimi nga 65 në 70 vjeç është i domosdoshëm”.

Sipas Ballës, kjo nuk është iniciativë politike dhe “do të kërkoja ndërgjegjësim e deputetëve që këtë ta kalonim brenda korrikut me qëllim që t’i vijmë në ndihmë të gjithë qytetarëve”.

Gjithashtu, ai theksoi se në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë.

“Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Balla.

Ai propozoi gjithashtu që të ulet edhe shpejtësia nga 40km/h në 30 km/h brenda qytetit, pasi sipas tij kjo shpejtësi është shumë e lartë dhe shkaktare për aksidente.

“Limiti ka qenë shumë i vjetër, ndërkohë që përcaktimin e limitit të shpejtësisë edhe nëse do bëjmë ndryshime në Kodin Rrugor, do e përcaktojë autoritet se në cilat rrugë është e mundshme, në rrugët brenda zonave të banuara limiti i shpejtësisë 40 km/h është shumë i lartë. kemi pasur në qendër të Tiranës aksidente për shkak të këtij limiti, brenda qyteteve të jetë 30 km/h, këto janë 2 çështje që i kemi hedhur si një shtysë për një diskutim mes kolegeve të këtij komisioni dhe deri në draftin përfundimtar të ndryshimeve në ligj të marrin formën e përbashkët”.

Të martën e 5 korrikut, deputeti socialist propozoi ndryshimin e Kodit Rrugor, sipas të cilit patentat për drejtuesit e makinave do të jenë 15 vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore